Ekonomi

“Ekonomia sëmurë, të gjithë rrogën e hamë”… Ekspertët japin rrugëzgjidhjet

Sabina Veizaj - Teoritë ekonomike sugjerojnë se sa më të varfra të jenë familjet, aq më shumë buxhet planifikojnë për ushqim.

Kjo gjen vend tek vendet me të ardhura të ulëta si Kenia, Kameruni, Filipinet, Afrika, etj.
Por të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave të Shqipërisë tregojnë se familjet shqiptare gjatë 2018-s, 44% të buxhetit të tyre e kanë shpenzuar për ushqime. Familjet shqiptare kanë shpenzuar për ushqim gjatë 2018-ës më shumë se familjet e Guatemalës, Pakistanit, Filipineve e Kazakistanit.

Të dhënat e INSTAT raportuan se për 2018-ën edhe familjet e pasura shqiptare hoqën dorë nga “qejfet” dhe buxhetin e transferuan tek ushqimet. Ato përdorën 36 % të buxhetit të tyre për ushqim me rritje 1 % nga një vit më parë.

Perceptimi i familjeve, por mbi të gjitha gjykimi dhe shqetësimi i ekspertëve, tregon se ekonomia shqiptare është sëmurë.

INSTAT për të tretin tremujor radhazi tregon ulje të ritmit të rritjes së ekonomisë. Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të 2018-s është vlerësuar me rritje prej 3,10 % kundrejt tremujorit të katërt të 2017-s. Në tremujorin e parë të 2019-s Produkti i Brendshëm Bruto u vlerësua 2,21 kundrejt tremujorit të parë të vitit të kaluar dhe në tremujorin e dytë të 2019-s është zgjeruar me 2,31 %.

Edhe eksportet kanë regjistruar tkurrje gjatë tetëmujorit të parë të vitit. Bizneset shqiptare kanë eksportuar 200 mld lekë ose 2,5 % më pak mallra krahasuar me një vit më parë.

Nga të dhënat vihet re se ato mallra që kanë ndikuar në uljen e eksporteve kanë qenë: "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Tekstile dhe këpucë”. Këtë situatë eksportuesit e shpjegojnë me zhvlerësimin e monedhës euro dhe mosrimbursimin në kohë të detyrimeve të qeverisë.

Mosrimbursimi i plotë i bizneseve është një shqetësim i ngritur shpesh edhe nga Banka Botërore dhe FMN. Kjo e fundit rekomandoi edhe një herë qeverinë për rimbursimin e bizneseve një javë më parë gjatë një interviste të Jaan Keejs Martijn, shef i misionit të Fondit për Shqipërinë.

Mendimi i ekspertit…

Tkurrja e ekonomisë për Arben Malajn, anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, është jopozitive dhe mund të bëhet shqetësuese.

Ai e argumenton shqetësimin duke hedhur vështrimin tek analiza e bilancit tregtar, por edhe analiza e strukturës së kreditimit për biznesin. Këto, sipas tij, paralajmerojnë se ka rritje të importeve për mallara dhe rënie të atyre për investime.

Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë

Njëkohësisht ka më shumë rritje të kreditimit për likuiditete e konsum, se sa për investime. Analiza e bilancit të llogarisë korrente ku konstatohet një zgjerim i ndjeshëm i defiçitit të saj edhe për shkak të rënies së investimeve të huaja korrente, analiza e strukturës së eksporteve dhe importeve të bilancit tregtar dhe analiza e strukturës së kredidhënies midis pjesës për konsum dhe likuiditete dhe asaj për investime sipas sektorëve, janë instrumenta të rëndësishëm nëpër zhvillimet dhe trendet në ekonominë reale.

Ky raport i deformuar - shpjegon Malaj - në favor të konsumit dhe jo të investimeve si në import edhe në kreditim, jep shenja se në të ardhmen rrënjët e rritjes ekonomike do të ndjejnë mungesën e investimeve të mençura dhe produktive si për individët, biznesin dhe pjesën e investimeve publike të investuara nga taksat, por të keqperdorura nga mungesa e strategjive të qarta të zhvilllimit dhe mungesa e përgjegjësisë për përdorimin me efiçencë maksimale të çdo qindarke të taksapaguesve.

Lidhur me rënien e rritjes ekonomike, “shqetësimi ynë si analistë dhe ekspertë e dashamirës, është risku që vjen dhe nga eksperiencat e mëparshme ku rëniet ekonomike në rastet që janë shfaqur shkaqet dhe nuk janë kuruar problemet strukturore, i kanë zgjatur, vonuar dhe e kanë bërë më të rëndë fillimisht kthimin në pikën e parakrizës dhe më vonë në nivele që reduktojnë dhe diferencën midis nesh dhe vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor dhe me BE-në”, shprehet Malaj për Gazetën “Si”.

Për të, mungesa se reformave strukturore mund të vrasë akoma më shumë rritjen ekonomike. Kjo sepse - argumenton ai - mund të fshihet rënia e të ardhurave e cila rrezikon tejkalimin pa ligj të tavanit të defiçitit dhe borxhit që janë e drejtë ligjore vetëm e Parlamentit. Sipas Malajt, kjo bëhet kur qeveria nuk paguan shërbimet dhe investimet e kryera, pra shkel kontratat me biznesin dhe dëmton rritjen ekonomike të vendit.

Qeveria duhet të kërkojë nivele të reja defiçiti dhe borxhi - Parlamenti duhet të vendosë.
Nëqoftëse qeveria nuk e bënë këtë, Malaj sugjeron një rrugë tjetër; shkurtimin e shpenzimeve dhe investimeve nga qeveria pa kaluar në Parlament. Por ky proces, sipas tij, kërkon përgjegjësi profesionale për të qartësuar çfarë do të shkurtohet në shpenzime dhe investime dhe jo një shkurtim i tyre me rregull treshi. Lista e shkurtimeve duhet të jetë transparente për Kuvendin dhe taksapaguesit.

"Rreziku tjetër që po ndjehet dhe që ka pasoja negative më të mëdha mbi rritjen ekonomike në të ardhmen është marrja në avancë e tatimeve nga biznesi për të fshehur shkallën reale të mosrealizimeve. Ky është abuzim ligjor dhe duhet të ndëshkohen si tatimorët dhe bizneset që bëhen pjesë e kësaj skeme manipulimi të të dhënave buxhetore"- Arben Malaj

Rreziku tjetër që po ndjehet dhe që ka pasoja negative më të mëdha mbi rritjen ekonomike në të ardhmen, sugjeron eksperti Malaj, është marrja në avancë e tatimeve nga biznesi për të fshehur shkallën reale të mosrealizimeve. Ky është abuzim ligjor dhe duhet të ndëshkohen si tatimorët dhe bizneset që bëhen pjesë e kësaj skeme manipulimi të të dhënave buxhetore. E treta, adminsitrata nuk duhet të krijojë vonesa me rimbursimin e TVSH-së. Kjo, shpjegon Malaj, krijon krizë likujditeti dhe kosto më të rëndë për bizneset, çka i detyron të reduktojnë shpenzimet dhe kërkesa e përgjithshme në ekononomi duke vrarë rritjen ekonomike, duke zgjatur krizën dhe duke vonuar rikthimin e stabilitetit të financave publike.

“Askush nuk mund të ankohet më se rritje ekonomike qenka dëmtuar nga mosrënia e shiut apo përfundimi i projektit TAP. Një ekonomi që varet vetëm nga shiu dhe nga një projekt në investimet e huaja, është një ekonomi e ekspozuar nga goditjet e jashtme në masën që prodhon kriza dhe pasiguri ciklike të përhershme”, sqaron Malaj.

Pak ditë më parë gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, guvernatori Gent Sejko pranoi se ekonomia shqiptare ka qenë ekonomi kumari duke e argumentuar tkurrjen e ekonomisë me efektin negativ që kanë dhënë lojërat e fatit.

“Lojërat e fatit kanë pasur një efekt negativ në rritjen ekonomike në tremujorin e parë dhe të dytë sipas parashikimeve në -0.6 dhe -0.7% përkatësisht. Ky ndikim do të absorbohet gradualisht pasi lojërat e fatit kanë pasur problemet e tyre, që kanë të bëjnë me informalitetin, me evazionin fiskal dhe me shumë elemente të tjera. Gjithsesi, ndikimi i tyre në ekonomi ka qenë -0.6 dhe -0.7% për tremujorët përkatës”, do të sqaronte guvernatori Sejko duke shtuar se se politika monetare do të vijojë të jetë lehtësuese për të stimuluar ekonominë duke paralajmëruar uljen të normave bazë të interesit në 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë