Ekonomi

Ekonomia rritet ndjeshëm me 17.9% në tremujorin e dytë

Ekonomia ka shënuar një rritje të ndjeshme në tremujorin e dytë të këtij viti.

INSTAT raportoi se zgjerimi i prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për periudhën prill-qershor ishte 17.9% me bazë vjetore.

Ky përmirësim ishte i pritshëm teksa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vendi vuajti një krizë të thellë si rrjedhojë e karantinës së detyruar nga Covid-19, çka bëri që PBB-ja të binte me 10.2%. Rritja në tremujorin e dytë të këtij viti u udhëhoq nga industria nxjerrëse, tregtia, transporti e akomodimi ushqimor dhe ndërtimi.

Të gjithë sektorët janë rikuperuar me zgjerim dyshifror, por më e fortë rritja ishte për ndërtimin, industrinë, tregtinë, artet argëtim e çlodhje, tregtinë. Më e ulëta ishte për aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që ishte e vetmja vitin e kaluar me zgjerim pozitiv.

INSTAT raportoi se produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2021 vlerësohet me rritje prej 17,89 %, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2020. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët:

Industri, Energji dhe Uji me +4,13 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +4,09 pikë përqindje, Ndërtimi me +3,42 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,56 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +1,04 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,64 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0,59 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,50 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,38 pikë përqindje, Negativisht kontribuan aktivitetet: Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me 0,19 pikë përqindje.

Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +1,73 pikë përqindje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë