Sipas të dhënave të Instat, ekonomia shqiptare u është rikthyer termave të rritjes në tremujorin e kaluar me 2.99% në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2019.
Ekonomia shqiptare ra me 3.31% në vitin pandemik 2020, shumë më e ulët se vlerësimet e qeverisë prej -4.4%.
Shifra ka ndikuar edhe në vlerësimin përfundimtar të recesionit ekonomik gjatë 2020-ës ku sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, recesioni gjatë vitit të kaluar ka qenë në masën -3.3%.

Kontributin më të madh në zgjerimin e ekonomisë gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar e ka dhënë sektori i ndërtimit, me 1.8 pikë përqindje i cili regjistron një rritje prej rreth 18.5% në terma vjetorë.

Duhet sjellë në vëmendje fakti që krahasimi bëhet me një tremujor i cili është ndikuar nga kriza e tërmetit të nëntorit të 2019 që goditi vendin tonë.
Pas ndërtimit, aktiviteti që regjistron rritjen më të mëdha në terma vjetorë, me rreth 11.4% është ai i “Aktiviteteve financiare dhe të Sigurimit” që ndiqet nga pasuritë e paluajtshme, me 68.9%.
Gjithashtu , kontribut pozitiv në këtë rritje ka dhënë dhe “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 1,01 pikë përqindje.
Shpenzimet për shëndetësinë janë rritur ndjeshëm në tremujorin e tretë ku indeksi i vlerës për “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike”, u rrit me rreth 22% si në tetor ashtu dhe në nëntor dhe me 26% në dhjetor , në krahasim me muajt përkatës të një viti më parë.
Aktivitetet që ndikuan negativisht ishin: “Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi Ushqimor” me -0,96 pikë përqindje , “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,49 pikë përqindje si dhe “Taksat Neto mbi produktet” me -0.37 pikë përqindje.

Konsumi final i popullatës në terma tremujorësh u rrit me 2.91% gjatë tremujorit të fundit 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje