Para

‘Ekonomia në hije’, paraja cash në Shqipëri si formë proteste ndaj sistemit bankar

Nga Gazeta ‘SI’ – Paraja e thatë që qarkullon në Shqipëri kufizon fuqinë e Bankës së Shqipërisë për të kontrolluar tregun.

Kështu gjen një analizë e kryer e qendrës kërkimore Altax, ku thekson se Banka e Shqip;ërisë e ka të vështirë të depërtojë në një treg monetar, ku një sasi rekord parash, 4.3 mld euro me shifrat e fundit, qarkullojnë në cash. Banka e Shqipërisë e ka gjithnjë e më të vështirë të ndikojë në treg përmes instrumenteve të saj – siç janë normat e interesit apo operacionet e tregut të hapur. Kontrolli i inflacionit, përkrahja e kreditimit apo stabiliteti financiar reduktohen në një luftë të pabarabartë me një sistem informal që nuk ndjek ligje financiare.

Ekspertët e quajnë tregun e parasë së thatë “ekonomia në hije” dhe e cilësojnë si një formë proteste kundër sistemit fiskal dhe bankar nuk vend, që nuk premton shumë për qytetarët dhe bizneset. Analiza thekson se shqiptarët përballen me burokraci, tarifa të larta dhe shërbime të ngadalta e nga ana tjetër pasiguri për pronësinë dhe procedura të paqarta fiskale.

“Kur të gjitha këto bashkohen me perceptimin e një drejtësie të dobët dhe të një administrate tatimore selektive, zgjedhja për të funksionuar “jashtë sistemit” duket më pak si shkelje dhe më shumë si strategji vetëmbrojtjeje”.

Duke përmendur rastin e sektorit të ndërtimit, analiza tregon se informaliteti është institucionalizuar dhe ka krijuar një strukturë të vetën, nga pranimi i shit-blerjes së pronave në para cash tek kontratat fiktive nga noteritë.

Ekspertët sugjerojnë rikonstruksion sistemik dhe jo reforma kozmetike, ku të godasin punësimin informal, të vendosin kufij për pagesat në cash dhe të rrishin transparencën në tregun e pasurive të patundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë