Irena Beqiraj

Ekonomia europiane midis luftës në Ukrainë edhe ‘armikut’ amerikan!


Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se: "Europa duhet të rizbulojë shijen e rrezikut, të ambicies dhe të pushtetit"

Për ta arritur këtë, Europa duhet të sigurojë pushtetin e humbur ekonomik.

Lufta e gjeti Europën në zgjimin e mundimshëm nga pandemia, ku rritja ekonomike ishte ngadalësuar edhe inflacioni po rritej. Kjo gjendje e quajtur stagflacion e cila i ngjan shtëpisë që ka çatinë në flakë edhe bodrumin në ujë, edhe pse shumë e vështirë për t'u trajtuar nuk ishte e vetmja sfidë që duhej të përballej Europa.

Borxhi i lartë, produktiviteti i ulët, hendeku i të cilit sa vinte e rritej krahasuar me Kinën edhe Amerikën, mungesa e sigurisë energjitike, përballja me tranzicionin e gjelbër edhe revolucionit të 4 digjital ishin disa nga çështjet e tjera qe Europa kishte në pjatën e saj. 

Në 2023, BE realizoi 17% të PBB-së nominale botërore, po aq sa Kina,  ndërkohë që Shtetet e Bashkuara realizuan 26% të saj. Vonesa në inovacion është po ashtu dukshme: nga pesëdhjetë kompanitë kryesore të teknologjisë në botë, vetëm katër janë europiane.

Çmimet e energjisë elektrike në Europë janë dy deri në tre herë më të larta se çmimet e SHBA-së dhe ato të gazit janë katër deri në pesë herë më të larta. Asgjë nuk do të jetë e mundur për industrinë dhe ekonominë europiane nëse këto boshllëqe nuk reduktohen.

Sipas një raporti të fundit të hartuar nga Draghi, Bashkimit Europian do t’i duhet të investojë 800 miliardë euro shtesë në vit nëse dëshiron të mbajë vendin e tij në rendin ekonomik global. Kjo do të kërkonte që investimet të rriteshin nga 22% në 27% të PBB-së.

Thënë ketë, Europa do të duhet të mobilizojë më shumë burime, që do të thotë të rinovojë sistemin e saj bankar duke e bërë atë më efikas, më të përqendruar dhe më të ndërlidhur.

Dy vendimet e fundit të Shtëpisë së Bardhë, vendosja e tarifave me Europën edhe zvogëlimi i prezencës amerikane në NATO e ekspozoi Europën me një fakt edhe më të hidhur.

Aleati më i madh, ose miku fatal ka shumë më tepër fuqi për t'i bërë dëm se lufta ne Ukrainë. Për më tepër, sistemi imunitar i Europës për t'u mbrojtur kundër Shteteve të Bashkuara është shumë më i dobët. 

Së pari, sepse politikëbërësit e Europës janë mësuar t'i shohin Shtetet e Bashkuara si mikun dhe aleatin e tyre më të madh. Përveçse eshtë një kërcim masiv psikologjik për europianët që të pranojnë synimet aktive armiqësore të Uashingtonit, atyre u duhet të rikalkulojnë ndryshe veprimet e tyre në vazhdim.

Së dyti, sepse Europa ka kohë që ka braktisur "pushtetin e fortë " duke  investuar pak në mbrojte. Europa shpenzonte 3% të PBB-së së saj për mbrojtjen në vitin 1960 ndërsa sot përqindja është ende nën 2% të kërkuar nga NATO. Ndërsa sot SHBA investon 880 miliardë usd në mbrojtje, Kina 309 miliardë, Europa vetëm 288 miliardë!

E pakonkurrueshme ekonomikisht, ushtarakisht por edhe politikisht për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, Rusia mund të kërkojë në Evropë të hapet një rrugë për të rifituar territoret e braktisura nga Bashkimi Sovjetik.

Ndërsa Perandoria Sovjetike zgjohet, Turqia me nostalgji mund të jetonte nën emocionet e Perandorisë Osmane. Të gjithë ëndërrojnë të kthehen në kohë.

Në këtë sfond, e braktisur nga aleati i saj madje në një luftë të re tarifash me të,  Europës i nevojitet një orë e më parë paqja në Ukrainë, i duhet një marrëdhënie koherente me Rusinë edhe Kinën,  por mbi të gjitha duhet të fillojë të mendojë të mbështetet në forcat e veta, duke i bashkuar ato në mënyrën më efektive të mundshme.


Copyright © Gazeta “Si”