Nga Megi Iskurti-Debatet mbi abortin ngahera kanë shoqëruar vendet, e mes tyre dhe Shqipërinë. Ky diskutim që përgjithësisht i ndan njerëzit si “avokatët” që janë pro-jetës dhe ata që janë pro-zgjedhjes, ka patur në fokus sidomos aspektin moral ose atë ligjor.
Por, veçmas faktit nëse duhet lejuar se thotë ligji apo nuk duhet lejuar se kështu thonë parimet, duhet marrë në konsideratë edhe pesha që luan ai në ekonominë e vendit.
Rënia e fertilitetit dhe e popullatës janë veç pasojat e para pas të cilave vijnë zinxhirë një sërë efektesh të tjera.
Tkurrja e popullatës në ekonomi nënkupton gjithashtu një tkurrje të taksapaguesve, tkurrje të fuqisë punëtore dhe rrjedhimisht të mallrave dhe konsumit.
Në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ndodhin mesatarisht rreth 50 milionë aborte në vit dhe mesatarisht 125 000 aborte në ditë.
Në Kanada aborti cilësohet si një “holokaust financiar” pasi sipas ekonomistëve, nëse numri i tyre do të ishte përkthyer në forcë punëtore do të kishte kontribuar me rreth 28 trilionë dollarë në ekonominë amerikane.
Lindjet e fëmijëve nxisin ekonominë pasi prindërit fillojnë që të blejnë më shumë produkte që u nevojiten atyre. Rritja e konsumit dhe mallrave nënkupton që qarkullojnë më shumë para në treg dhe kjo e mban ekonominë e stimuluar.
Që nga viti 2014 deri në vitin 2018 në Shqipëri janë raportuar në total rreth 28 mijë aborte sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) që pas 13 vitesh do të ishin në moshën aktive për të qenë pjesë e tregut të punës por edhe taksapagues gjithashtu.

Gazetasi.al kontaktoi me sociologun Gëzim Tushi lidhur me këtë temë, për një panoramë më të plotë të korrelacionit që ekziston mes aborteve dhe ekonomisë.
“Shqipëria dikur me moshën mesatare 27 vjeç në Europë,sot ka shkuar në 37 vjeç dhe progresi është shumë i shpejtë.
Kjo ka bërë që të jemi një nga shtetet europiane që po plakemi me ritme të larta. Nëse në 1960 kishim 6.2 fëmijë për grua, në vitin 1990 arritëm në 2.3 fëmijë për grua, kurse sot në 1.4.
Kjo do të thotë që me këto ritme nuk mund të mbajmë as nivelin aktual të popullsisë. Këto fakte kanë lidhje direkte me situatën në tregun e punës dhe nevojat e ekonomisë për fuqi punëtore fizikisht nga njëra anë dhe të kualifikuar në anën tjetër.
Aborti është e drejtë e lirë e gruas shqiptare, por ajo ka kundërefekte demografike dhe po bëhet një boomerang social që po sjell deficit për fuqi punëtore. Aborti, i parë në korrelacionin e tij me nevojat e ekonomisë, ultimatumet demografike dhe perspektivat e zhvillimit të vendit, është çështje personale që lidhet me personalitetin e emancipuar të femrës, por është edhe çështje politike që lidhet me shtetin, ligjet, etj.
Ai duhet parë edhe në kuadrin e të ‘drejtës së gruas’ por duhet vlerësuar edhe brenda caqeve të nevojave ekonomike e të ‘arsyes së nevojave publike’.
Nëse vazhdojmë me këto ritme të shfrenuara të abortit normal apo selektiv, për shkak të seksit të fetusit si preferencë, atëherë jo vetëm shoqëria demografikisht do plaket, por ajo do jetë ‘shoqëri e thinjur’, ‘shoqëri me flokë të bardha’.
Ky vakum do jetë i frikshëm për nevojat e ekonomisë dhe zhvillimit të saj. Vakumet për fuqi punëtore, me siguri do të plotësohen me forca njerëzore e prodhuese të ‘importuara’ nga jashtë.”-tregoi Gëzimi për gazetaSi.al.
Dorina.H, një qytetare shqiptare që tregoi vetëm kostot financiare që kishte patur gjatë shtatzanisë deri në momentin e lindjes së fëmijës.
“Kostot zënë fill me testin e kontrollit shëndetësor, çmimi i të cilit varion nga 100-700 lekë nëpër farmaci varësisht markës së tij.
Kostoja e një ekoje në spitalet publike është rreth 20 mijë lekë të vjetra ndërsa në spitalet private kushton deri në 30 mijë lekë.
Mjekët sugjerojnë që gjatë shtatëzanisë është e rekomandueshme të bësh 5 eko të tilla dhe gjithashtu edhe 3 analiza për secilin tremujor ( analiza e gjakut, urinës, teste për streptokok, INR, ECG, APTT) që në klinikat private ata kushtojnë 50 mijë lekë të vjetra ndërsa në laboratorët e spitaleve shtetërore, kushtojnë rreth 25 mijë lekë.
Veç këtyre është e domosdoshme analiza e quajtur “B-test” e cila tregon për një sindromë të mundshme që mund të ketë fëmija si dhe ekoja-morfologjike që tregon zhvillimin e organeve të foshnjës. Të dyja bashkë mua më kanë kushtuar 100 mijë lekë të vjetra në privat ndërsa në spitalin shtetëror kushtojnë diku tek 45 mijë lekë.”-tregoi Dorina.
Ajo gjithashtu shtoi se suplementet e acidit silik i kanë kushtuar 31 mijë të vjetra përgjatë 9 muajve ndërsa tabletat e vitaminave pretal i kanë kushtuar rreth 100 mijë lekë të vjetra përgjatë gjithë shtatzanisë.
Së fundmi, Dorina më rrëfeu që kontrolli dentar i ka kushtuar 30 mijë lekë ndërsa shtoi se sigurisht ka shpenzuar më shumë për ushqimet duke qenë se është kujdesur më shumë për ushqimin.
Pra, vetëm gjatë shtatzanisë,ajotregoi që ka shpenzuar më shumë se një milion të vjetra shqiptare.
Një llogari kaq e thjeshtë na tregon se sa shumë para nuk kanë qarkulluar nga të gjithë abortet e ndërprera.
Por, korrelacioni i ekonomisë dhe abortit nuk është vetëm i njëanshëm.
Në fakt, studimet na tregojnë se jo vetëm aborti nxit ekonominë por shpeshherë edhe kjo e fundit nxit abortet.
“ Ne jemi një shoqëri e varfër ekonomisht dhe në pamundësi për të realizuar mjaft nga përgjegjësitë që kërkon rritja dhe edukimi i një fëmije.Faktori ekonomik është mjaft përcaktues. Varfëria e ndikon abortin: më shpesh ndodh tek familjet e varfëra sesa tek ato të pasura. Ndodh më shumë në vendet e varfëra sesa në vendet e pasura. ”-tregoi për Gazeta.Si.al Entela Binjaku, sociologe.
Pra, vetja emocionale e një femre nuk mund të dëshirojë abort ndërsa vetja e saj praktike, e ndikuar nga kushtet e varfërisë, nuk sheh asnjë alternativë tjetër.
Edhe sipas një studimi nga Instituti Guttmacher, mospërballimi i kushteve ekonomike në rritjen e fëmijës është motivi më kryesor i aborteve.
Kur u mohohet një abort, ato bëhen ekonomikisht të pashpresa dhe u duhen vite për të arritur aty ku do të kishin qenë nëse do t’u kishin lejuar abortin.
Entela gjithashtu tregon se përveç faktorit ekonomik, fetar dhe moral, një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe edukimi.
“Edukimi nis në shkolla dhe në shkollat tona dyshoj se zhvillohet me seriozitetin që kërkon.Leksionet edukative mbi seksin mendoj se mungojnë ose temat mbi këtë aspekt trajtohen shkarazi dhe të veçuara.“

Edhe sipas të dhënave të ISHP, abortet janë kryer më shumë nga femrat me nivel arsimor 9-vjeçar dhe të mesëm.
Aborti do të vijojë të ngjalle debate që shtrihen nga specialistët e mjekësisë, tek kleri e tek mbrojtësit e të drejtave të njeriut por në gjithë këtë linjë diskutimi parimesh, shkaqesh dhe pasojash, lidhja e dyanshme mes tij dhe ekonomisë do mbetet përherë e ngushtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje