Ata i has gjithandej në Tiranë , në stolat e parqeve , në rrugë apo pranë godinave të ndryshme. Rutina e dhimbshme e një dite në kërkim të ushqimit duke rrëmuar nëpër koshat e mbeturinave që ndodhen përgjatë rrugëve, tani është shndërruar në sforco. Asgjë nuk është si më parë, që kur ra pandemia...
Gazetasi.al pyeti disa syresh që kalojnë natën në parqet e Tiranës.
“Që pas pandemisë, ndihmat nga kalimtarët e rastit dhe ushqimet që gjejmë janë më të pakta”-na thanë.
Në një formë ose në një tjetër pandemia preku ekonominë e të gjitha familjeve duke ulur ndjeshëm konsumin. Ndonëse nuk kanë as dijeninë më bazike për çka thuhet në lidhje me ekonominë, ata janë letra e lakmuesit sepse këta njerëz pandemia i ka shtyrë drejt cakut të fundit të jetës, në kufirin e fundit të mbijetesës.
Ata janë të fundit në zinxhirin ushqimor të shoqërisë. Çka mbetet mund të jetë për ta. Por kjo ndodhte dikur...
“Më parë unë gjeja më shumë ushqime të mbetura nëpër koshat e mbeturinave.”- u shpreh një nga të pastrehët që ndodhej në “Rrugën e Elbasanit.”
Ai më tregoi se “nëse dikur mund të gjeje varietete më të ndryshme ushqimesh, me fillimin e pandemisë nëpër kosha gjendeshin vetëm mbetjet e ushqimeve më të domosdoshme.”
Para ca kohësh gjente edhe fruta të ndryshme, ndërsa tani vetëm ca feta buke të ndenjura.
Ishte shumë i shqetësuar kur tregonte se përpara Covid-19 koshat e mbeturinave ishin më të mbushur, ndërsa tani janë thuajse të përgjysmuar.
Një tjetër i pastrehuar që ndodhej pranë Universitetit Politeknik të Tiranës , më tregoi se edhe lëmosha përpara pandemisë ishte më e shpeshtë.
Tek sheshi “Nënë Tereza” , qarkullojnë në masë shumë makina.
Dikur gjatë ditëve të ngeshme para pandemisë aty parkoheshin makina të bukura dhe të shtrenjta. Të rinjtë konsumonin pa teklif pije dhe tema instagrami. Por tani ata për lypësin sikur i ka “përpirë dheu.”
“Njerëzit na jepnin monedha dhe me anë të tyre ne blinim ushqim. Tani janë shumë të paktë ata që na ndihmojnë.”- u shpreh ai.
Tani ai shikonte tek njerëzit edhe frikën sepse ata hezitonin ta ndihmonin kur e shihnin , ndryshe nga disa kohë më parë.
Dy vëllezër të tjerë të pastrehë që ishin ulur në një park pranë qendrës së Tiranës, tek 9- katëshet, e siguronin ushqimin duke mbledhur kanaçet e mbetura apo shishet plastike që gjenin në koshat e mbeturinave.
Ata e dinin që kjo ishte një nga zonat e mira në Tiranë ku në baret përgjatë perimetrit të sheshit, ka konsum.
E kishin vënë re që përpara goditjes së pandemisë, kanaçet e pijeve energjike ishin më të shpeshta se tani dhe atëherë mund të fitonin disa qindarka më shumë.
Dikur fitonin dhe 100 lekë në ditë ndërsa sot mezi i sigurojnë 50 lekë.
Një grua të moshuar 65 vjeçare e gjetëm tek Ali Demi. Teksa me shumë vështirësi artikulohej, ajo kujton gati me mall se si ndihmohej nga banorët e pallatit në zonën ku ajo jetonte të cilët e ushqenin me gatimet që iu tepronin.
Por me fillimin e pandemisë edhe ata familje që dikur e ndihmonin rregullisht, tani e bënin më rrallë këtë gjë dhe mbrëmjet kur ajo e gjente veten të pangopur me ushqim ishin bërë më të shpeshta.
E moshuara ishte e fundit që takova. Ora ishte 19 :00 pm. Pas një ore riniste karantina. Ajo dhe të tjerë mbeten vetëm në rrugët ku as ligji i pandemisë nuk i ndalon dot, duke pritur me padurim mëngjesin që koshat e mbeturinave të rimbushen...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.