Ekonomi

Ekonomia botërore, po përjeton rritjen më të dobët që prej pandemisë

Ekonomia botërore po përjeton rritjen më të dobët që prej pandemisë së Covid, ndikuar nga lufta tregtare e Donald Trump me në krye SHBA-në.

Ky është parashikimi i organizatës së OECD, që e cilëson si jetike lehtësimin e barrierave tregtare, për të ringjallur investimet dhe për të shmangur një rritje çmimesh.

Rritja e ekonomisë botërore pritet të jetë 2.9% në 2025-n dhe 2026-n. Ekonomia e SHBA-së do të rritet me 1.6% nga 2.8% një vit më parë.

Parashikimi i fundit i OECD është me rënie nga Marsi, kur Trump nuk i kishte njoftuar ende tarifat globale.

Që atëherë Trump ka ulur pjesërisht disa detyrime, por rritja e normës mesatare efektive të tarifave të SHBA-së është e paprecedetë nga 2.5 % në mbi 15 % – më e larta që nga lufta e dytë botërore, vuri në dukje OECD. Organizata gjithashtu uli parashikimet e vitit 2025 për vendet e G20, përfshirë Kinën, Francën, Indinë, Japoninë, Afrikën e Jugut dhe Mbretërinë e Bashkuar, krahasuar me perspektivën e marsit.

Álvaro Pereira, kryeekonomisti i OECD-së, tha se vendet kishin nevojë urgjente të arrinin marrëveshje që do të ulnin barrierat tregtare. “Përndryshe, ndikimi i rritjes do të jetë mjaft i rëndësishëm”, tha ai.

“Kjo ka pasoja masive për të gjithë.” Krahasuar me perspektivën e fundit të plotë të OECD-së në dhjetor, perspektivat e rritjes për pothuajse të gjitha vendet janë ulur, tha Pereira.

Luhatjet e tarifave të SHBA-së kanë ndikuar shumë, ndërsa Trump ka vendosur taksa ndaj Kinës përpara se t’i tërheqë pjesërisht masat, ndërsa ka kërcënuar me tarifa të larta ndaj ekonomive të tjera, përfshirë BE-në. Trump është zotuar gjithashtu të vendosë një sërë barrierash sektoriale, duke përfshirë dyfishimin e taksave mbi importet e çelikut dhe aluminit në 50 %.

Treguesit e fundit treguan një “ftohje të dukshme” të rritjes reale të PBB-së në SHBA, së bashku me një rritje të ndjeshme të pritjeve për inflacionin, paralajmëroi ajo.

Në përgjithësi, perspektiva e OECD-së për këtë vit është ulur për rreth tre të katërtat e anëtarëve të G20 krahasuar me parashikimin e saj të ndërmjetëm të marsit.

Rritja e Kinës do të ngadalësohet nga 5 % vitin e kaluar në 4.7 % në vitin 2025 dhe 4.3 % në vitin 2026, sipas perspektivës së re, ndërsa Eurozona do të zgjerohet me vetëm 1 % këtë vit dhe 1.2 % në vitin 2026. Ekonomia e Japonisë do të rritet me vetëm 0.7 % dhe 0.4 % këtë vit dhe vitin tjetër. Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar parashikohej të zgjerohej me 1.3 % këtë vit dhe 1 % në vitin 2026 – një ulje e normave të pritura 1.4 dhe 1.2 % përkatësisht në mars. Tregtia globale do të zgjerohet me 2.8 % në vitin 2025 dhe 2.2 % në vitin 2026, dukshëm më e ulët se parashikimet e OECD-së në dhjetor. Rreziqet fiskale po rriten së bashku me tensionet tregtare, paralajmëroi OECD, me kërkesat për më shumë shpenzime mbrojtëse që pritet të shtojnë presionet mbi shpenzimet./FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë