Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Ndërkombëtar Monetar ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, nga 3.8% në 3.4%, për vitin 2025.
Në të kundërt është rishikuar me rritje të lehtë pritshmëria për vitin 2026, ku ekonomia vendase parashikohet tashmë të zgjerohet me 3.6%, nga 3.5% në raportin e pranverës.
Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Shqipëri parashikohet të rritet në 2.3% në vitin 2025 nga 2.2% në vitin 2024, tha FMN-ja, duke e ulur parashikimin e prillit me 0.1 pikë përqindjeje. Inflacioni pritet të rritet më tej në 2.8% në vitin 2026.

Në rajon, rritjen më të lartë pritet ta ketë Kosova, me 3.9% në 2025-n dhe 4% në 2026-n.
Maqedonia e veriut pritet të ketë të njëjtën rritje si Shqipëria me 3.4% në 2025-n. Në Mal të Zi performanca pritet në 3.2% në 2025-n.
Ekonomia e Bosnjë Hercegovinës do të zgjerohet me 2.4% në 2025 dhe 2.7% në 2026. Në të njëjtat nivele prej 2.4% në 2025-n pritet edhe Serbia.
Fondi analizon se ekonomia botërore ka reaguar më mirë nga se pritej përballë luftës tregtare të nisur nga Trump, por gjendet ende nën presion. FMN parashikon që ekonomia botërore të rritet me 3.2% këtë vit, nga 3% që ishte parashikimi në korrik. Në vitin 2026, rritja parashikohet të ulet lehtë në 3.1%.
FMN tha se përmirësimi i parashikimit për këtë vit vjen kryesisht nga faktorë të përkohshëm, si një rritje e aktivitetit ekonomik ndërsa kompanitë dhe familjet u nxitën të furnizohen përpara tarifave të larta, si dhe një dobësim i dollarit që ka ndihmuar tregtinë globale. Megjithatë, perspektiva përpara mbetet me “pritshmëri të zbehta”, si në afat të shkurtër ashtu edhe të gjatë.
“Nuk është aq keq sa kishim frikë, por është më keq se sa prisnim një vit më parë — dhe më keq se sa do të duhej,” tha kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, në një deklaratë për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



