Treg

EKMA SHPK monopol, i pezullohet aktiviteti

Sabina Veizaj-Autoriteti i Konkurrencës ka pezulluar veprimtarinë e ndërmarrjes EKMA Albania  SHPK e cila ushtronte aktivitetin e saj në pozita monopol.

EKMA SHPK është një firmë që vepron në tregun e dhënies me qira të mjedisve për magazinimin e produktuteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës.

Nga hetimi paraprak i Autoritetit të Kokurrencës ka rezultuar që veprimtaria e kësaj ndërmarrjeje ka dëmtuar tregtarët, që duke mos gjetur aletrnativë tjetër në treg, kanë pranuar çmimet e larta të EKMA Albania SHPK.

Sipas Ligjit në fuqi, pasja e një pozite dominuese nga një ndërmarrje në treg nuk është e ndaluar, por zotërimi i pozitës dominuese i jep ndërmarrjes një detyrim të veçantë për të mos abuzuar me këtë pozitë dominuese, që ndërmarrja në fjalë nuk e ka zbatuar.

Nga hetimi rezultoi se ndërmarrja EKMA Albania operon e vetme, pra ka pozitë dominuese.. Referuar bilancit të ndërmarrjes, vlerës së shitjeve në tregun përkatës, ndërmarrja EKMA Albania ka fuqi ekonomike e financiare, e cila mund të shkaktojë kufizime të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës. Sipas autoritetit pozita aktuale i krijon ndërmarrjes mundësinë që të maksimiziojë fitimet duke vendosur çmime shumë të larta, të cilat nuk justifikojnë vlerën.

Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu se EKMA u ka imponuar tregtarvëe që kanë marrë mjediset e saj me qira, përpos çmimeve dhe kushteve të padrejta të tregtimit, një çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE. Sipas dokumentit të Autoritetit të Konkurrencës, ndërmarrja EKMA ALBANIA SHPK nuk zbaton ligjet, sepse në kontratat e qirasë së lidhura midis saj si qiradhënëse, dhe tregtarëve si qiramarrës zbatohen kushte të padrejta dhe imponuese tregtimi. Këto kontrata përmbajnë kushte imponuese vetëm për njërën palë të kontratës – qiramarrësin, i bën të pavlefshme kushtet e përgjithshme të këtyre kontratave, që sjellin një humbje ose dëmtim të shpërpjesëtuar të palës kontraktuese, posaçërisht kur ato ndryshojnë në mënyrë thelbësore nga parimet e barazisë e të paanësisë të shprehura në dispozitat e Kodit Civil që rregullojnë marrëdhëniet kontraktuale. Ndërmarrja EKMA ALBANIA SHPK ndryshe nga sa parashikohet në ligj, vendos kushte diskriminuese dhe të padrejta tregtimi. Megjithëse afati i kontratës është 1 (një) vjeçar, ndërmarrja EKMA ALBANIA SHPK e detyron qiramarrësin të negociojë muaj për muaj për çmimin e saj, duke krijuar paqëndrueshmëri financiare për qiramarrësin dhe duke e vendosur këtë të fundit në kushte të pafavorshme konkurrence, si dhe duke e detyruar të paguaj një garanci të vlefshme me pagesën e 2 muajve, pa u marrë përsipër, as edhe një gjë nga ana e qiradhënësit. Për shkak të pozitës së saj dominuese i transferon shërbimet, të cilat sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr.19, datë 09.04.2015 duhet të sigurohen nga vetë ndërmarrja, tek qiramarrësi, duke abuzuar, dhe duke u shkaktuar këtyre të fundit dëm ekonomik, si dhe duke i detyruar të pranojnë detyrime shtesë të cilat për vetë natyrën e tyre nuk kanë lidhje me objektin e kontratës në fjalë.

Komisioni i Konkurrencës duke patur parasysh që ndërmarrja EKMA ABANIA ka një pozitë dominuese në treg dhe është e vetme në ofrimin e shërbimit për dhënien me qira të ambienteve për magazinim dhe tregtimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës, e cila: – Aplikon çmime shumë të larta qiraje krahasuar me mesataren e zonës gjeografike; – Çmimet e aplikuara i mundësojnë shoqërisë një normë fitimi shumë të lartë – Çmimet e qirasë të aplikuara nga ndërmarrja sjellin pasoja për konsumatorin final, duke rritur koston produkteve agro – ushqimore të cilat tregtohen nëpërmjet këtij tregu; – i detyron tregtarët qiramarrës të paguajnë një çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që faturon operatori i shpërndarjes, si dhe UKT, etj, ka marrë masën e përkohshme ndaj ndërmarrjes EKMA ALBANIA SHPK me qëllim rivendosjen e konkurrencës në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve agro-ushqimore në qytetin e Tiranës. Kjo do të thotë: Hartimin e kontratave të qirasë bazuar në dispozitat e Kodit Civil (për kontratën e qirasë) për të vendosur palët e saj, qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të barabarta kontraktuale në zbatim të ligjit dhe zakoneve të mira tregtare. 2. Qiradhënësi të aplikojë çmime të arsyeshme të orientuara drejt kostos dhe çmimit mesatar të qirasë të zonës gjeografike; 3. Qiradhënësi të jetë transparent në detajimin e zërave dhe vlerave përkatëse që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit; 4. Ndërmarrja EKMA ALBANIA SHPK të ndalojë menjëherë faturimin mbi çmimin ligjor të miratuar nga institucionet kompetente (faturuar nga OSHEE dhe UKT); 5. Çmimi i qerasë të negociohet në fillim të lidhjes së kontratës dhe të jetë i qëndrueshëm deri në përfundim të afatit të kontratës, në favor të qiramarrësit, duke lejuar atë të krijojë një qëndrueshmëri financiare. III. Ndërmarrja EKMA ALBANIA SHPK, brenda afatit 30 ditor nga marrja dijeni e vendimit të Komisionit të Konkurrencës të paraqesë pranë Autoritetit të Konkurrencës Kontratën e rishikuar të qirasë, në zbatim të pikave të mësipërme. IV. Në rast se ndërmarrja EKMA ALBANIA SHPK nuk ndërpret shkeljen e nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003 dhe nuk vepron në përputhje me detyrimet dhe brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar paraardhës, deri sa ndërmarrja EKMA ALBANIA të veprojë në përputhje me këtë vendim, në zbatim të nenit 76, pika 1, germa (a) dhe (c) të Ligjit Nr. 9121/2003.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë