Motosport

Ekleston zbulon skandalin e 2008-ës: I hoqëm titullin Masës dhe Ferrarit

Gazeta Si – Ish-kreu i Formula 1 pranon se ka ndikuar në rastin ‘crashgate Renault’ dhe se e ka privuar Felipe Masën nga titulli i parë kampion bote. Kështu, para nisjes së Botërorit të ri hidhet dritë mbi një episod të rëndësishëm.

Berni Ekleston bën ‘mea culpa’ dhe pranon se ka mbuluar skandalin e ‘crashgate Renault’ në 2008-ën, në Çmimin e Madh të Singaporit. Gjatë një interviste të gjatë për ‘F1 Insider’, ai ka zbuluar se ishte në dijeni për atë që kishte ndodhur me Renault dhe urdhrin e skuderisë për Pique Jr, por i kishte thënë të atit të pilotit që të mbante gjithçka të fshehtë.

Berni Ekleston, ish-drejtues i larte i F.1. Gazeta Si, 4 mars 2023

“E bëra për të mbrojtur sportin tonë nga ai skandal, por Masa dhe Ferrari u privuan nga një titull kampion bote që do ta kishin fituar me meritë”, – ka thënë Ekleston.

Rrëfimi i tij vjen pas 15 vitesh nga skandali ‘crashgate’, ku Piquet Jr, me urdhrin e skuderisë, u përplas me barrierat në pistë, duke provokuar futjen e ‘safety car’, që favorizoi Alonson dhe mbi të gjitha Ljuis Hemilton, i cili u shpall kampion bote për herë të parë.

Ekleston ka pohuar se ishte e gjithë koha e nevojshme për të ndërhyrë dhe për ta stabilizuar situatën, por u vendos të mbulohej gjithçka. “Unë dhe Maks Moslei (president i FIA-s, i vetëvrarë në 2021-shin) u informuam gjatë sezonit për atë që kishte ndodhur në Singapor.

Piquet Jr i kishte treguar të atit Nelson për urdhrin e skuderisë për të bërë të mundur futjen e ‘safety car’, që të ndihmohej Alonso për të fituar. Iu luta Nelson Piquet senior që ta mbante gjithçka të fshehtë”, – thotë Ekleston.

Pse? “Në atë kohë, klasifikimi i një Botërori bëhej i paprekshëm sapo zhvillohej ceremonia e dhënies së çmimeve nga FIA në fund të vitit. Pastaj Hemilton fitoi titullin dhe shkoi çdo gjë mirë. Kishim prova të mjafueshme për të ndërhyrë në kohë.

Sipas rregullores, mund ta anulonim garën e Singaporit, që ajo të mos ishte e vlefshme për klasifikimin botëror. Në atë mënyrë Felipe Masa do të ishte shpallur kampion bote dhe jo Ljuis Hemilton. Edhe sot më vjen shumë keq për Masën, i është vjedhur një titull që e meritonte. Sot do veproja ndryshe. Për këtë arsye për mua Mikael Shumaker është ende i vetmi me 7 tituj kampionë në botë. Nuk e marr në konsideratë titullin e parë të Hemiltonit”, – shprehet Ekleston.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë