Një situatë surreale për volejbollisten e Kombëtares shqiptare, Erblira Bici. Ekipi i saj në Itali, Kuneo, u prek nga Covid-19, 9 lojtare rezultuan pozitive dhe po ashtu i gjithë stafi teknik, çka bëri që në ndeshjen e fundit rolin e trajnerit ta bënte presidenti. Në sfidën ndaj Konelianos ekipi i Bicit, një nga titullarët e mbetura, u drejtua nga presidenti Diego Borgna, një ish-volejbollist.
Kuneo humbi 3-0, por shtypi italian ka vlerësuar faktin që skuadra e volejbollistes shqiptare nuk u dorëzua përballë Koronavirusit. “Po, është e vërtetë, – tregon Erblira Bici për Gazeta Si. – Më shumë se gjysma e ekipit u prek nga Covid-19. Për tri javë e gjysmë lojtaret që dolën pozitive ishin të izoluara. Dje sapo janë kthyer, pasi tamponi doli negativ, përveç trajnerit, i cili është akoma pozitiv. Të dielën luajtëm me ekipin më të fortë të kampionatit dhe humbëm 3-0”.

Në atë ndeshje Bici, kapitene e skuadrës, ishte ajo që përcillte te shoqet e saj çdo udhëzim të presidentit-trajner. Ajo thekson po ashtu se situata është mjaft e vështirë, pasi nga nesër qyteti kalon në zonë të kuqe. “Ndeshja e radhës është shtyrë për në një moment të dytë, sepse në ekipin e Skandiçit ka dalë një rast pozitiv. Derisa të dalin rezultatet e të gjithë ekipit, ata nuk mund të luajnë.
Për momentin është një situatë shumë e vështirë, pasi zona jonë nga nesër është zonë e kuqe dhe mbyllet pothuajse çdo gjë. Presidenti ynë? Në fakt ai këto kohë ka qenë trajner, shofer, çdo gjë për skuadrën. Këtu ka shumë kontrolle, ne bëjmë çdo javë tamponë dhe është shumë e vështirë. Rregullat janë shumë të forta”, – ka thënë Bici për Gazeta Si.
Për situatën ka folur edhe vetë presidenti i Kuneos, Borgna, i cili ka theksuar: “Vendosëm të luanim për dy arsye: nuk duam të ngjeshim kalendarin dhe të vëmë në vështirësi skuadrat që marrin pjesë në Champions League. Pastaj, duam të japim edhe një sinjal se ne Koronavirusin e mundim, duke respektuar rregullat.” Më 11 tetor, Kuneo mundi 3-2 Kierin dhe më pas nisi kalvari. Tri ditë më pas, para transfertës me Novarën, u mësua se kishte një rast pozitiv në skuadrën e Kuneos. U shty ndeshja me Igor, më pas ato me Bergamon, Trenton dhe Breshian. Një ndalesë e gjatë e detyruar për shkak të infektimit edhe të të 8 lojtareve dhe gjithë stafit teknik.

Klubi piemontez kishte gjithë të drejtën të vazhdonte të kërkonte shtyrjen e ndeshjeve, – protokolli parashikon që nëse ka më shumë se 3 sportiste pozitive, shtyhet ndeshja, – por vendosi të luante dhe të mos dorëzohej në këtë situatë. Për presidentin Diego Borgna, ish-lojtar i Cus Torino, është një rikthim në të kaluarën. “Që nga viti 1992 nuk bëja trajnerin. U transferova në Kuneo, sepse stërvitja në atë kohë Alpitour, por kur ekipi i ngjit në Serinë A, nuk mund të vazhdoja, sepse isha i impenjuar me profesionin tim si inxhinier mekanik në një kompani makinash. Prej disa sezonesh jam afruar me volejbollin e femrave për të ndjekur vajzat e mia dhe prej 4 vitesh jam një drejtues i klubit”.
Në Trevizo Borgna nuk mundi ta ndiqte ndeshjen në këmbë në fushë. Udhëzimet për ndërrimet dhe pushimet, ai i jepte nëpërmjet kapitenes Erblira Bici, e vetmja që mund të komunikonte me arbitrat. 67-vjecacri ka një licencë që e lejon të drejtojë një ekip të Serisë A, por ka një normë që e ndalon një drejtues klubi të bëjë edhe rolin e trajnerit në të njëjtën kohë. Në karrierën si lojtar me Torinon ai ka fituar Kupën e Kampionëve në 1980-ën, hera e parë për një klub italian, plus 3 tituj kampion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje