Kategoria Superiore qëndron në Rrogozhinë pasi Egnatia mbrojti kurorën në Finalen e “Final4”. Mbrojtje nga dera kryesore, e thënë ndryshe me fitore bindëse duke mos i lënë asnjë mundësi Vllaznisë në “Arenën Kombëtare. Kampionët e rikonfirmuar mund ta rifitonin titullin edhe me një barazim sepse formula ua jepte këtë mundësi (vendi i 1-rë kishte dy rezultate në dispozicion). Por ata bënë të pushonin të gjithë ata që dyshonin dhe nuk besonin në sezonin e tyre. Regi Lushkja fitoi duelin direkt me Bekim Balajn (mgjs shkodrani e ruan sceptrin e Shënuesit më të mirë) të paktën për një mbrëmje. Sulmuesi i kampionëve shënoi dy herë, një për çdo pjesë.

Tetë minuta nga fundi ishte Leo Melo që përfitoi nga hezitimi i mbrojtjes shkodrane për golin e sigurisë dhe në kohën shtesë Ujka gjeti golin dhe lavdinë personale për titullin e dytë rradhazi të Egnatia-s. Skuadra e drejtuar nga Tetova nuk mbrojti dot Kupën e Shqipërisë (u mund nga Dinamo City) por ja doli të mbronte titullin në Kategorinë Superiore. Ajo është skuadra që ka përfituar më shumë nga formula me “Final4” ku në dy sezonet e fundit ka fituar jo vetëm sezonin e rregullt por edhe “Final4”.

Një sezon më parë 0-1 ndaj Partizanit dhe sot 0-4 ndaj Vllaznisë. Ndërsa kuqeblutë e gjejnë vetën edhe një herë pranë titullit por nuk arrijnë ta ngrenë trofeun (pas sezonit 2020-‘21). Kjo ishte fitorja e 12 në 26 ndeshje për Egnatian ndaj Vllaznisë. Si dhe suksesi i dytë në pesë ndeshje këtë sezon (1 fitore e Vllaznisë, 2 barazime). Egnatia u “hakmorr” për humbjen 5-1 që i shkaktoi Vllaznia më herët në sezonin e rregullt.

Libri i Artë i Kategorisë Superiore
Tirana 26 tituj
Dinamo City 18
Partizani 17
Vllaznia 9
Skënderbeu 8
Teuta, Elbasani, EGNATIA 2
Flamurtari, Kukësi 1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.