Nga Gazeta Si – Kategoria Superiore ngre siparin e edicionit të 87 në stadiumin “Loro Boriçi”. Sfida Vllaznia – Egnatia në orën 20:00 do të paraprihet nga ceremonia zyrtare e hapjes së kampionatit.
Themeluesit e futbollit në vend do të presin dy herë kampionët rradhazi në fuqi pas një starti në Kupat e Evropës ku kuqeblu dhe të gjelbër nuk arritën në raundin e playoff-it.
Vendas dhe miq kanë objektiv titullin dhe këtë e deklarojnë hapur. Raundi i parë në sezonin e ri vazhdon të shtunën me dy ndeshjet e rradhës. Bylis – Tirana në orën 17:00, në stadiumin “Adush Muça” në Ballsh.
Atje ku bardheblutë janë në provën “Josa”. Legjenda kryeqytetase do të drejtojë mallakstriotët këtë sezon.
Në orën 20:00, AF Elbasani dhe Flamurtari zbresin në stadiumin “Elbasan Arena”.
Në stolin e kuqezinjve do të debutojë spanjolli Carlos Garcia dhe vlonjatët pretendojnë se kanë ardhur për gjëra të mëdha mes më të mirëve.
Partizani – Vora, që do të luhet në orën 20:00 të së dielës në stadiumin “Arena e Demave” do të mbyllë pjesërisht javën e parë.
Të kuqtë kryeqytetas vijnë pas një vere turbulente të cilën shpresojnë ta lënë pas sa më shpejt nën drejtimin e Milinkovic.
Impenjimi i Dinamo City-t në UEFA Conference League shtyu ndeshjen ndaj Teutës më 5 Shtator.
Sfida mes tyre do të luhet në orën 17:00, në stadiumin “Niko Dovana”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



