Futboll

Egnatia dhe Drita fituan në shtëpi, Shkëndija barazoi në transfertë

Nga Gazeta Si – Shqiptarët e nisën me këmbën e mbarë edicionin e ri në UEFA Champions League. Këtej dhe andej kufirit, në shtëpi dhe në transfertë, tre skuadrat e para shqiptare evituan humbjen duke hedhur një hap të rëndësishëm për kalimin e turit. Kampionët e Shqipërisë iu falën blerjes së fundit përpara sfidës për fitoren ndaj Breidablik. Ildi Gruda (që prishi marrëdhëniet mes shkodranëve dhe kampionëve) zhbllokoi rezultatin në minutën e 2 shtesë përpara se Regi Lushkja të merrte të verdhën e dytë duke humbur në këtë mënyrë ndeshjen e kthimit. Vërtetë sfida u mbyll me fitore minimale por Egnatia tentoi 13 herë ndaj 3 të miqve për ta zhbllokuar ndeshjen. Goditjet nga këndi ishin 5-6 për miqtë ndërsa 9 kartonat e verdhë (6-3) konfirmojnë një përballje të ashpër në fushë.

Drita-Differdange 1-0

Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Drita (e rikthyer në Champions League) ndaj Differdange. Arb Manaj ishte autori i golit të vetëm dhe ashtu si në Rrogozhinë, edhe në Prishtinë ndeshja u zhbllokua në pjesën e dytë. Kampionët e Kosovës tentuan 14 herë të gjenin rrjetën ndërsa miqtë nga Luksemburgu vetëm 4 herë. Goditjet nga këndi ishin 6-2 për vendasit ndërsa kartonat e verdhë 1-2 për miqtë.

TNS-Shkëndija 0-0

Barazim pa gola në transfertën e Shkëndijës ndaj The New Saints në  “Park Hall” të Oswestry në Uells. Përballje e barabartë që konfirmohet nga rezultati ku vendasit e kërkuan portën në 11 raste por edhe kuqezinjtë nuk mbetën pas. Kampionët e Maqedonisë së Veriut kërkuan në 9 raste zhbllokimin e rezultatit. 4-5 për miqtë goditjet nga këndi dhe 4 kartona të verdhë (3-1) plotësuan panoramën e kësaj përballjeje. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen në datën 15 Korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë