Analize

Efikasiteti i vaksinimit tek moshat e vjetra dhe rëndësia e tij tek fëmijët

Nga Ilir Alimehmeti-Le të vëzhgojmë të dhënat e vdekshmërisë në ekses në Europë dhe përmes tyre të deduktojmë disa çështje.
Të gjitha të dhënat në formë grafike janë marrë nga të dhënat zyrtare të EuroMoMo (European Mortality Monitoring) që suportohet nga ECDC (European Center for Diseases Control) dhe OBSH.

-A ka dallim vala Alfa (dimër) nga vala Delta (pranverë/verë)?
Në figurën një mund të shihni disa shtete europiane të zgjedhura që kemi marrë shpesh si shembull gjatë pandemisë.
Figura një na tregon qartësisht që vala Alfa ka qenë shumë më e rëndë se sa vala Delta. Me lehtësi mund të shihet se si vdekshmëria është tejet e lartë në dimër (përkon me valën Alfa) dhe bie në normalitet pas pranverës (përkon me valën Delta).
Në këtë efekt mund të ketë luajtur shumë rol qoftë stina, qoftë vaksinimi i popullatës që në Europe gjithkund ka nisur nga të moshuarit.

-A ka pasur efekt vaksinimi te moshat e vjetra?
Po, efekti është i madh dhe i dukshëm! Në figurën dy janë vdekjet kumulative për moshat +65 dhe +85 vjeç. Pritej dhe duket qartë një efekt i lidhur me moshën, duke qene se:
sa më e lartë mosha, aq më i lartë risku i vdekshmërisë nga COVID-19 dhe
sa më e lartë mosha, aq me herët janë vaksinuar dhe aq më e gjatë ka qenë periudha nën mbrojtje. Në moshat +85 vjeç vdekshmëria kumulative e 2021 (vija bojë qielli) ka rënë jo vetëm nën atë të 2020 (vija blu), por edhe nën atë të 2017 (vija e kuqe) dhe të 2018 (vija e verdhë). Në moshat +65 vjeç vdekshmëria kumulative e 2021 është nën nivelin e 2020 dhe e barabartë me nivelin e 2018.

-A nevojitet vaksinimi te fëmijët?
Në figurën tre shihet qartë se vdekshmëria e moshave 0-14 vjeç është vazhdimisht brenda intervalit normal (vija blu qëndron vazhdimisht brenda rripit ngjyre gri të lehtë).
Në figurën katër vërehet se për moshat 0-14 vjeç:
vdekshmëria kumulative në 2020 në gjysmën e parë të vitit 2020 ecën në linjë me vitet e mëparshme, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2020 bie qartësisht nën nivelin e viteve të mëparshme, madje shkon në vlera minus.
Pra, është e qartë se pandemia COVID-19 nuk është risk për këto mosha (0-14) e si rrjedhoje vaksina nuk gjen argumente për t’u përdorur gjatë analizës se vdekshmërisë në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë