Juventusi hapi thesin dhe realizoi transfertën më të shtrenjtë në historinë e tij, duke afruar në Torino Cristiano Ronaldon. Shuma e derdhur në arkat e Realit është 117 milionë euro, por i gjithë operacioni shkon dyfish më shumë, pasi për katër vite portugezi do të paguhet nga 30 milionë euro për sezon.
Në total janë rreth 240 milionë euro që do t’i kushtojnë xhepave të Andrea Agnellit transferta e bujshme. E gjithë kjo ka nxitur kritika dhe mosbesim nëse ja vlen një shpenzim i tillë për një lojtar 33-vjeçar?
Por, duket se drejtuesit bardhezinj i kanë bërë mirë llogaritë. Më shumë se çfarë do të japë Ronaldo në fushë, ata kishin menduar për atë që ai ofron jashtë saj: marketingun.
Sapo u konfirmua transferta, në faqen zyrtare online J-Store, ku bardhezinjtë shesin fanelat dhe produktet e tjera më ngjyrat dhe logon e tyre doli në shitje fanela. Mjaftuan pak minuta që të vërshonin tifozët anembanë botës për të bërë porosinë e tyre. Kërkesa ishte vetëm një: numri 7 me emrin Ronaldo mbi të. Fluksi ishte aq i madh se për disa momente faqja zyrtare doli jashtë funksionit nga mbingarkesa e serverit.
Me t’u rikthyer online shitjet rinisën dhe ritmet e tyre vazhdojnë në nivele të çmendura, aq sa për çdo 48 sekonda, Juventusi shet një fanelë të Ronaldos, pavarësisht çmimit relativisht të shtrenjtë të vendosur për të, që varion nga 95 deri në 145 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.