Nga Gazeta ‘Si’-Edward P. Joseph, profesor në universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, thotë se Aleksandar Vuçiç ringjalli projektin nacionalist serb të madh.
“Vuçiç ringjalli hapur projektin nacionalist serbomadh që e çoi Jugosllavinë në luftë tri dekada më parë”, shkruan Joseph. Sipas tij, Vuçiç e aplikoi atë filozofi në marrëdhëniet e tij me Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi.
“Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në vazhdimësi ka minuar sovranitetin, funksionalitetin dhe aspiratat euroatlantike të secilit vend”, thekson ai.
“Konspiracioni i armatosur serb”, i krijuar shtatorin e kaluar në Banjskë në veri të Kosovës – afër vendit ku janë vendosur trupat amerikane – sipas profesorit, synoi të ndante vendin me forcë.
“Duke përbuzur Uashingtonin, Vuçiçi emëroi dy nga figurat e rralla të sanksionuara nga SHBA-ja në qeverinë më të re serbe. Njëri prej tyre – zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, një ‘ish-shef famëkeq i inteligjencës’ dhe ndihmës i Kremlinit – u takua përsëri me presidentin rus Vladimir Putin më 4 shtator, duke deklaruar se ‘Serbia është një aleate e Rusisë’ dhe duke shtuar se ‘nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiç’, Serbia kurrë nuk do të anëtarësohej në NATO dhe as nuk do të vendoste sanksione ndaj Federatës Ruse.”
Sipas Josephit, Serbia po shfrytëzon situatën aktuale në Kosovë, sidomos atë të veriut.
“Tashmë të shfryrë nga fiaskoja e Banjskës, serbët e Kosovës janë afër të heqin dorë nga jeta në Kosovë – një rezultat që do të luajë me planet serbe dhe ruse për të minuar rendin perëndimor, multietnik në rajon”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.