Kombetarja

Edvin Murati: Shqipëria ka nevojë për një grup të bashkuar dhe… dashuri

Fatjon Rupi – Kombëtarja e Shqipërisë nuk i nisi ashtu siç pritej kualifikueset e “Euro 2020”. Humbja 0-2 me Turqinë në stadiumin “Loro Boriçi”, por më shumë se rezultati loja e dobët dhe ambienti i trazuar në kampin kuqezi, sollën largimin e trajnerit Kristian Panuçi, pasuesi i të cilit ende nuk është gjetur nga FSHF. Kandidatët janë disa, por presidenti Armand Duka po merr kohën e duhur për të bërë zgjedhjen më të mirë.


Ish-lojtari i njohur i Kombëtares, Edvin Murati, në një intervistë për Gazeta Si, flet për gjendjen aktuale të ekipit, pse dështoi Panuçi dhe për çfarë ka nevojë Shqipëria, që të bëjë atë që presin të gjithë, të jetë më argëtuese në fushë dhe të ketë rezultate. Mesfushori që elektrizonte tifozët kuqezi në stadium me shpërthimet e tij në krahun e majtë dhe me grindën që karakterizonte, jeton në Francë, por e ndjek gjithmonë nga afër Kombëtaren. Murati ka disa këshilla për trajnerin e ardhshëm të Kombëtares, ndërsa ai vetë “sponsorizon” boshnjakun Safet Sushiç, të cilin e njeh nga afër. Ja intervista e plotë e “Nderit të Futbollit Shqiptar”, Edvin Muratit për Gazeta Si:

Edvin Murati , duke marrë çmimin “Nderi i Futbollit Shqiptar” nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka

Edvin, e keni ndjekur Kombëtaren në ndeshjet e fundit. Si ju është dukur?
Po, e kam ndjekur, isha edhe në Andorrë. Ekipi nuk ka dhënë më të mirën dhe rrjedhimisht nuk ka marrë më të mirën. Fituam në Andorrë, ndërsa me Turqinë humbëm në shtëpi dhe ky ishte një hap i gabuar. Ajo që kuptohet kur e sheh nga jashtë lojën e Kombëtares, është se ekipi nuk është i mbledhur, grupi nuk është kompakt. Jemi një ekip i vogël dhe duhet të shfrytëzojmë episodet. Futbolli prandaj është i bukur dhe i paparashikueshëm.
Pas humbjes me Turqinë u shkarkua trajneri Kristian Panuçi. Vendim i drejtë?
Vendim i drejtë, patjetër. Ish-trajneri Panuçi nuk arriti të krijonte atmosferën e duhur në ekip për t’i mbajtur futbollistët të karikuar. Ishte një dështim në të gjitha drejtimet, jo vetëm për anën sportive, por edhe njerëzore. Panuçi pati probleme me të gjithë, me lojtarët, me shtypin. Nuk e di pse, po nuk arriti të ndërtonte marrëdhënie të shëndosha me askënd. Ajo që mua më bën përshtypje ka të bëjë me faktin se ai nuk i dha aspak dashuri Kombëtares. Këtë e them me shumë seriozitet. Ne jemi shqiptarë dhe kemi nevojë të trajtohemi me dashuri për të dhënë më të mirën. Nuk jemi norvegjezë apo suedezë. Trajneri duhej t’i trajtonte futbollistët me dashuri dhe jo me vendime drastike, duke lënë njërin apo tjetrin jashtë ekipit. Më duket se i kërkonte vetë problemet. Edhe ne lojtarët që kemi luajtur më parë me Kombëtaren na ka ndodhur të kemi ndonjë vonesë, por nuk na ka lënë trajneri jashtë. Shqipëria nuk është Franca, që ka katër ekipe dhe mund të zgjedhësh kë të duash. Duhej një standard tjetër.

Edvin Murati feston golin daj Zvicrës me Besnik Hasin

Po në anën sportive, ku dështoi Panuçi?
Lojtarët e një ekipi, që ta bëjnë atë sa më kompetitiv, duhet të luajnë sa më shumë kohë bashkë, që veprimet e tyre të automatizohen dhe grupi të shprehet më mirë në çdo ndeshje. Ekipi duhet të funksionojë si një trup i vetëm dhe të gjithë duhet të sakrifikojnë. Nuk mund të bëhen eksperimente pa fund me lojtarët. Kështu ka funksionuar në kohën tonë, sepse vetëm kështu mund t’i marrësh më të mirën një grupi futbollistësh.
Me humbjen në fushën tonë ndaj Turqisë, që është një rival direkt për vendin e dytë, a kemi më shpresa për kualifikimin për në Europian?
Nuk duhet të mendojmë se ajo humbje na i ka prerë shpresat. Ne jemi një ekip i çuditshëm dhe siç humbëm në Shkodër me Turqinë, mund të fitojmë në fushën e saj. Çdo gjë mund të ndodhë, por të shohim. E thashë që në fillim, e rëndësishme është që ekipi të mblidhet dhe të marrë më të mirën nga vetja në çdo ndeshje të mbetur.
Flitet shumë për mungesën e një lideri në Kombëtare, pas tërheqjes së Lorik Canës. Ju si e shihni këtë aspekt?
Po, dëgjoj të flitet shpesh për këtë temë, por unë mendoj se kemi lojtarë që mund të bëjnë liderin e ekipit. Taulant Xhaka, për shembull, mund të bëjë rolin e liderit. Nuk është një lojtar i vjetër, por ka shumë përvojë. Xhaka është një lojtar kampion në Zvicër, që luan rregullisht në Champions League. Ka vite me Kombëtaren.

Edvin Murati në një ndeshje ndaj Gjermanisë, duke debatuar me arbitrin

Në ndeshjen me Turqinë më shumë u duk sikur e bëri Abrashi këtë rol?
Abrashi është një lojtar shumë i mirë. Është për t’i thënë “Bravo të qoftë!” për atë që jep në fushë. Shqipëria ka nevojë për lojtarë si Abrashi, që luftojnë me të gjitha mundësitë deri në sekondën e fundit. Ne kishim Altin Lalën që e bënte këtë gjë, ndërsa tani e bën Abrashi. Është një shembull për të gjithë lojtarët e tjerë, të cilët duhet të sakrifikojnë për fanellën kuqezi.
Flitet që njërin nga kandidatët për trajner të Kombëtares, Safet Sushiç, e keni sugjeruar ju. E vërtetë?
Po, unë e kam sugjeruar. Është një person që e njoh nga afër, pasi jeton në Paris, ka qenë sulmues i famshëm i PSG-së dhe si trajner ka pasur sukses me Bonjë Hercegovinën, duke e çuar për herë të parë në Botëror. Mendimi im është se ai mund të bëjë mirë me Kombëtaren tonë, pastaj vendimet i merr presidenti, sepse janë edhe shumë gjëra të tjera që llogariten. Edhe ai është ballkanas dhe e njeh më mirë temperamentin tonë. Di të them që Safet Sushiç është një profesionist i vërtetë dhe një njeri mjaft serioz e korrekt.
Presidenti Duka duket sikur e ka marrë pak shtruar çështjen e trajnerit të ri…
Në fakt, pas dështimit me Panuçin, do të ishte shumë e rëndë, nëse do të bëhej një tjetër zgjedhje e gabuar për stolin e Kombëtares. Di që janë bërë bisedime dhe kandidatët janë disa, por duhen saktësuar shumë detaje para se të merret një vendim. Sigurisht që nuk duhet nxituar.

Edvin Murari, kur luante me PSG-në

Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares, çfarë duhet bërë për ta pasur atë në nivelin e pak viteve më parë, kur shkoi në Europian?
Pas Europianit të Francës e prisja që të kishte një rënie të Kombëtares, por jo deri në këtë pikë. Ndoshta kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, siç është për shembull dëmtimi i Sadikut apo Roshit. Janë lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares sonë. Për ta ardhmen duhet shumë punë dhe seriozitet. Duhet djersitur shumë për fanellën e Kombëtares. Mund të humbësh, por varet si humb. Mund të humbësh duke u munduar, duke bërë gjithë përpjekjet në fushë, duke luftuar dhe përsëri humb. Kjo është diçka normale, sepse futbolli i tillë është. Por kur humb pa bërë asgjë në fushë, atëherë ka diçka që nuk shkon.

Ne mbetemi një ekip modest, nuk kemi Mesi, Ronaldo apo Mbape, që të na i zgjidhë situatat. Ne mund ta arrijmë përsëri suksesin, duke qenë të bashkuar. Duhet të veprojmë të gjithë në unison për Kombëtaren, që nga drejtuesit, stafi, lojtarët dhe deri te shtypi sportiv. Të gjithë bashkë për të mirën e Shqipërisë, sepse po nuk e bëmë këtë, jemi ne që humbim. Kombëtarja është e jona, e të gjithëve. Edhe në që jetojmë jashtë, mundohemi të bëjmë maksimumin për Shqipërinë, pa asnjë lloj interesi, vetëm për të mirën e saj. Duam që Kombëtaren ta shohim sa më lart dhe sa më mirë. Le të shpresojmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë