Eduard Halimi, një prej personave kyçë në bisedimet e opozitës me Partinë Socialiste për miratimin e reformës në drejtësi është rikthyer në Partinë Demokratike pas një periudhe relativisht të gjatë shkëputjeje.
Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Berisha” dhe ish-deputet i PD-së, Halimi ka njoftoi se ka pranuar një propozim të Lulzim Bashës për të qenë koordinator politik i 12 qarqeve për zgjedhjet e 25 prillit.
“Unë e pranova kërkesën e Lulzim Bashës për tu caktuar si “Koordinator i posaçëm politik i kryetarit të PDSH për 12 qarqet, në zgjedhjet e vitit 2021”. Kurrë nuk do hezitoja të ndihmoja mikun tim Lulzim Basha, ashtu si kurrë nuk kam hezituar të ndihmoj dhe si antar i thjeshtë familjen tonë politike, gjatë gjithë jetës sime”, deklaron Halimi.
Megjithatë, ai përjashton mundësinë që të zgjidhet deputet.
“Të shërbesh, për çdo anëtar të së djathtës politike është detyrë dhe nuk duhet lidhur kurrsesi me të qënit deputet. Unë nuk do jem deputet, por do t’i shërbej familjes politike. Është koha të bashkohemi për t’i shërbyer familjes sonë politike në këtë betejë”, shkruan ai.
Halimi i zgjodh deputet për PD në zgjedhjet e 2017-ës, por në shkurt të 2018 njoftoi dorëheqjen, siç tha, për t’iu përkushtuar profesionit të avokatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.