Nga Gazeta Si- Kineasti Edmond Topi ka fituar çmimin e parë në “Coliseum”, festivalin ndërkombëtar të filmit. Regjisori u vlerësua me këtë çmim për filmin “Yjet e së ardhmes”. Ndërkaq aktorja shqiptare Tinka Kurti e cila para pak ditësh festoi 92 vjetorin, u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë protagoniste”.
Juria e kryesuar nga producenti Roberto Bessi dhe votat e 7000 shikuesve, prej të cilëve 1500 të huaj dhe 5500 italianë, vlerësuan produksionet filmike nga 81 vende të botës. Në këtë seleksionim kishte dhe prodhime kinematografike nga Venezuela, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Bullgaria.
Filmi “Yjet e së ardhmes” i regjisorit Topi është një komedi romantike e mbështetur mbi skenarin e autorit holandez Uli Bree, skenar i blerë nga ky i fundit me të drejta të plota.
Festivali “Coliseum” është një ngjarje e rëndësishme kinematografike e cili zhvillohet në Romë dhe vlerëson kryesisht produksione filmike të pavarura. Ky ishte edicioni i tij i katërt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.