Politike

Editoriali i Ramës te “Bild” për negociatat: BE shkeli premtimet

Përmes një editoriali të publikuar në gazetën gjermane “Bild”, Kryeministri Edi Rama fajëson populizmin si shkaktar të thyerjes së premtimeve të njëpasnjëshme të Bashkimit Europian karshi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën e tyre të integrimit.

Aktualisht, të dyja vendet janë në pritje të një vendimi mbi mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Rama flet për cinizëm politik që e ka zhytur Ballkanin Perëndimor te personazhet e Samuel Beckett në librin e tij “Duke pritur Godonë”.

Rama thotë se është i vetëdijshëm se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë gati për anëtarësim të plotë, por bën thirrje që të mos ngatërrohet anëtarësimi me negociatat për anëtarësim.

“Kjo nuk është arsye për të mos nisur Konferencën e Parë ndërqeveritare. Shqipëria i ka kryer reformat e kërkuara dhe Komisioni njohu angazhimin dhe arritjet e jashtëzakonshme të vendit tonë”, shkruan Kryeministri.

Rama shkruan se një pjesë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të pashoqe, duke cituar këtu reformën në drejtësi, për të cilën thotë se Komisioni ka dhënë vlerësimet e tij në raport.

Një fshikullim shkon mes rreshtave edhe për udhëheqësit politikë të BE-së, që sipas Ramës po tregohen të padrejtë me kolegët e tyre të Ballkanit Perëndimor.

“Të këmbëngulësh që krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të rrezikojnë të gjithë karrierën e tyre politike në procesin e integrimit europian, kur vetë këta krerë shtetesh të BE nuk janë të gatshëm të heqin pak dorë nga komoditeti i tyre politik?”, shkruan ai.

Rama e mbyll editorialin duke thënë se për këtë pyetje, përgjigjen ia lë lexuesit të gazetës gjermane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë