Ekspozite

Edicioni IV/ Tirana mirëpret mjeshtrat botërorë të akuarelit

foto e ekspozites

Nga Gazeta Si -Edicioni i katërt i festivalit të akuarelit bën bashkë në Tiranë 200 artistë nga 40 vende të botës. Punimet e artistëve, të cilët trajtojnë natyra të qeta, portrete, peizazh urban apo kompozime nga më të ndryshmet do prezantohen përmes dy ekspozitave.

Organizatorja Ormira Lulani thotë se festivali tashmë është bërë një rit, i cili zhvillohet njëherë në dy vjet dhe e bën Shqipërinë të jetë në vëmendjen e artistëve nga bota.

“Këtë vit do të prezantohen punët me dy ekspozita mjaft interesante, në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Galerinë e Artit Tiranë. Një ngjarje në jetën artistike dhe festivali ndërkombëtar i akuarelit tashmë ka ndërtuar emrin e tij”, shprehet organizatorja Ormira Lulani për Gazetën “Si”.

Lulani thotë se qëllimi është që të ndërveprojmë me artet pamore të vendeve të tjera dhe të prezantojmë artistë të ndryshëm bashkëkohorë, mjeshtrat më me zë ndërkombëtarë përpara publikut tonë artdashës për të krijuar ura bashkëpunimi kulturor.

Gjatë ditëve në vijim do vazhdohet edhe me demonstrimet live të artistëve ndërkombëtarë në Liceun “Jordan Misja” të Tiranës dhe Universitetin e Arteve.

“Artistë ndërkombëtarë dhe studentë do pikturojnë së bashku peizazhet e mrekullueshme të Farkës, Shën Gjergjit, Petrelës dhe gjithashtu dhe një pikturë 10 m (long painting) me tematikë nga Tirana”, vijon piktorja Lulani për Gazetën “Si”, ndërsa shton se ky festival “u lejon vizitorëve tanë që të prekin një copë të asaj kulture të panjohur për ta, duke sjellë artin e tyre”.

Ndërkohë që mjeshtrat e akuarelit botëror do demonstrojnë live edhe për studentët e arteve. Nga ana tjetër do ketë edhe pikturime në natyrë sipas Lulanit.

Ndër të tjera, ajo thotë se me këtë festival kemi arritur të bashkojmë kufijtë, kulturat, moshat dhe gjinitë.

“Falë përkushtimit tonë, arritëm që kultura, tradita, bukuritë e natyrës sonë, peizazhet e heritazhi ynë i pasur të njihet kudo, dhe kjo falë penelit të artistëve tanë dhe atyre ndërkombëtarë që ekspozuan shijet dhe ngjyrat e Shqipërisë në botën mbarë”, shprehet organizatorja.

Piktorja Ormira Lulani

Risi e këtij viti është përfshirja e mediumeve të tjera në ekspozitën e Galerisë së Tiranës.

Krahas kësaj, do të ketë edhe një katalog me punimet e artistëve shqiptarë dhe të huaj.

“Në këtë katalog kemi një përzgjedhje eklektike të punëve nga artistët më të njohur, si shqiptarë ashtu dhe ndërkombëtarë, mjeshtra me një karrierë të gjatë artistike, të cilët krijojnë një dialog mjaft interesant me njëri-tjetrin”.

Festivali i akuarelit do të vijojë deri më 14 maj ku artistët e ndryshëm bashkëkohorë, mjeshtrat më me zë ndërkombëtarë do të performojnë përpara publikut artdashës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë