Filma

Edicioni i gjashtë i ‘Open Cinema’ rikthen filmin e munguar në qytete

posteri i filmit

Nga Gazeta Si – “Open Cinema” me shfaqjet e hapura në natyrë vijon në edicionin e gjashtë ku do të jetë në dhjetë qytete të vendit.

Në mungesë të kinemave në qytete, publiku mund të ndjekë filma shqiptarë e të huaj në hapësira të ndryshme jashtë.

“Open Cinema” këtë vit nis nga qyteti i Kukësit më 15 qershor në mbrëmje për të vijuar dhe në datat 16 dhe 17 qershor.

Producenti Skënder Jaçe thotë se për Gazetën “Si” se “Open Cinema” vjen si një risi nëpër qytetet e Shqipërisë, në sezonin e ri turistik të verës së nxehtë.

“Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri me formatin e saj ‘Open Cinema’ zbret këtë sezon të ri turistik me një projekt ambicioz në 10 qytete të Shqipërisë. Ajo ngre siparin në qytetin e Kukësit, duke promovuar dhe turizmin e këtij rrethi, i cili ka njohur zhvillime të prekshme vitet e fundit. Qyteti i Kukësit është i katërti vit që mirëpret këtë aktivitet kombëtar, kryetari i Bashkisë, Safet Gjici ka përkrahur këtë art magjik duke ju ofruar publikut të gjerë projeksionet e fundit të kinemasë shqiptare mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë”, shprehet producenti dhe kineasti Skënder Jaçe.

Kineasti Skënder Jaçe

Këtë edicion përveç filmave që janë pjesë e programit, do të ketë dhe retrospektiva nga kronikat ndër vite të qyteteve ku do të jetë “Open Cinema”.

Producenti Skënder Jaçe thotë se gjithashtu do të kujtohen dhe regjisorët e aktorët më të mirë të kinemasë. “Prodhimet e fundit të kinemasë shqiptare, si dhe asaj botërore do të shohin dritën e projeksionit në qytetet e Shqipërisë. E veçanta për këtë vit do të jetë retrospektiva nga kronikat në vite të çdo qyteti, duke parë ecurinë dhe ndryshimet e mëdha në çdo qytet gjatë viteve. Gjithashtu do të kujtohen nëpërmjet retrospektivave regjisorët dhe aktorët më të mirë të kinemasë botërore, të cilët shkëlqyen me veprat dhe rolet e tyre, duke kujtuar kështu epokën e ndritur të kinemasë”, thotë ndër të tjera Jaçe.

Sipas Jaçes, “Open Cinema” tenton të rikthejë një traditë që i ka munguar vendit viteve të fundit.

“Filmi i munguar në shumë qytete të Shqipërisë është një risi dhe sidomos tani në verën e nxehtë jashtë në natyrë ekrani i madh i kinemasë të kujton kinematë e zhdukura verore, të cilat frekuentoheshin shumë në ato vite”, thotë Jaçe.

Ajo që e bën akoma më të gjallë këtë aktivitet kombëtar janë të ftuarit, pjesëmarrja e regjisorëve dhe aktorëve shqiptarë para ekranit të madh të kinemasë si Saimir Kumbaro, Timo Flloko, Fitim Makashi, Adivije Sharofi Alibali, Mevlan Shanaj e Natasha Lako, etj.

Producenti Skënder Jaçe thotë se promocionin e kinemasë shqiptare në tre net në çdo qytet të Shqipërisë do ta përshëndesin dhe këngëtarët e ftuar specialë.

“Do të jenë të ftuara Irma Libohova, Paola Kostandini e Miron Kotani, Dava Gjergji, Alfred Meminaj, Liljana Kondakçi, Kristina Ndoja, Bashkim Alibali, Eranda Libohova, Redon Makashi, Ergi Agolli, etj”, thotë Jaçe.

“Open Cinema” sjell në Kukës për publikun e gjerë, filmin e restauruar “Vdekja e Kalit” të regjisorit Saimir Kumbaro, si dhe filmin e restauruar të regjisorit Dhimitër Anagnosti “Përrallë nga e kaluara”.

Përpos qytetit verior të Kukësit, “Open Cinema” do të vijojë rrugëtimin edhe në bashkitë e qyteteve Berat, Devoll, Kuçovë, Patos, Gjirokastër, Cërrik, Saranda, Shkodër, Tiranë.

Në Kukës do të shfaqen edhe filma si “Dy Luanë në Venecia”, “Kadillak dhe manaferra” etj.

Aktiviteti “Open Cinema”, me shfaqjet e hapura në natyrë shërben edhe si një mënyrë për t’i “rritur” qytetet dhe për të shijuar filmat të gjithë ata që nuk kanë mundësi t’i ndjekin në një sallë kinemaje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë