Festivali më i madh i teatrit në Shqipëri Koko Fest, vijon prej dyu netësh në Korcë, (hapi siparin mbrëmjen e të shtunës) në teatrin “Andon Zako Cajupi”.
Vepra e parë që u ngjit në skenë ishte “Nata e dymbëdhjetë” nga regjisori i mirënjohur grek, Dhimitris Milonas, i cili vjen për herë të dytë në Korçë.
Ndërkohë mbrëmjen e së dielës u shfaq për publikun komedia “Tërësisht të huaj” me regji nga Erion Isai.
Aktorja dhe iniciatorja e këtij festivali, Zamira Kita më herët në një intervistë për Gazetën Si u shpreh se në këtë përvjetor do të marrin pjesë gjithsej 8 komedi me trupa nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
“Do të jetë edhe Kosova edhe Maqedonia e Veriut, edhe Shqipëria. Do të kemi shfaqje nga Tirana, Durrësi, Korça, Gjakova, Gjilani dhe Shkupi. Duke qenë se është 10-vjetori ne kemi zgjedhur shfaqjet më të mira të këtij viti”, do të shprehej Zamira Kita për Gazetën “Si”.
Më 4 shtator do të vijë Kosova në konkurrim me teatrin e Gjakovës me shfaqjen “Allo Allo” dhe regji të Ilir Bokshit. Më 5 shtator nga Teatri shqiptar i Shkupit do të vijë shfaqja “Ylli pa Emër” me regji të Hervin Culit.
Më 6 shtator do të vijë Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit me shfaqjen “Tatuazhi i trëndafilit”.
Më 7 dhe 8 shtator do të vijë sërish Tirana në konkurrim. Më 7 shtator do të jetë shfaqja “Një dasmë e hatashme” me regji të Kiço Londos, ndërsa më 8 shtator komedia “Certifikata e martesës” me regji të Driada Dervishit.
Nata e fundit do të mbyllet me komedinë “Borgjezi fisnik” të Teatrit të Durrësit.
Përveç shfaqjeve artdashësit korçarë do të kenë mundësi të shohin edhe një ekspozitë në hollin e teatrit, kushtuar festivalit ndër vite.
Ajo që është e rëndësishme është fakti se pjesë e këtij festivali çdo vit janë bërë ikonat e teatrit dhe filmit shqiptar.
Festivali do të vijojë në Korçë nga data 2 deri në datën 9 shtator duke bërë bashkë artistë, të ftuar specialë, qytetarë dhe turistë.
Në natën e fundit do të ndahen edhe çmime nga një juri profesioniste, si aktori Timo Flloko, Ndriçim Xhepa, aktorja Rajmonda Bulku, aktori Vasjan Lami dhe një aktore shqiptare që e ushtron aktivitetin e saj teatror në Athinë, Vethi Redhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.