Ekspozite

Edi Hila – Përleshja e piktorit me Kapitalizmin

Suadela Balliu  - Ata që kanë ardhur të marrin  pjesë në bisedën e hapur të studiuesit të artit Zef Paci, mbi ekspozitën e piktorit  Edi Hila, e cila do të jetë  për syrin e publikut deri  të dielën e fundit të korrikut e gjejnë veten në një rrugëtim, që i përzien dimensionet në kohë e hapësirë. Paci –profesor  i Historisë së Artit dhe Pikturës në Universitetin e Arteve në Tiranë –  bën udhë dhe ndalesa në thuajse secilën prej njëqind pikturave të kësaj ekspozite titulluar “Edi Hila Piktor i Transformimit”.

Studiuesi i artit, Zef Paci

Në hyrje, në hollin e Galerisë Kombëtare të Arteve, pozante dhe ftuese qëndron   “Mbjellja e Pemëve” , pozicionuar  nga arkitekti i kësaj ekspozite, Büro Meyer-Grohbrügge.Është ndoshta aty fillesa  e atij procesi transformimi, ku piktori  u kritikua se vepra e tij ishte shprehëse e prirjeve estetike perëndimore të kohës dhe  së cilës i mungonte optimizmi revolucionar.

Pikturën  e viteve ’80, e cila tregon një mëngjes të njerëzve që nisen për në punë,  Paci e sheh veçanërisht goditëse në kujdesin e piktorit për të mbërthyer gjendje. Një bar-kafe, hoteli pesëmbëdhjetë katesh “Tirana” në sfond, drita që përthyhet mbi ata që rimarrin rutinën sizifiane thuajse në gjysmë hije dhe leximi prej tablosë i gjendjeve  të atyre që gjerbin kafenë brenda klubit. Pas dashur t’i shuajë secilit kundrues përjetimin vetjak me pikturat e Hilës, Paci thotë se edhe i tiji është interpretim personal, por studiuesi e njeh thellë veprën e Hilës, e cila në këtë ekspozitë të parë retrospektive të tij në Shqipëri, prezantohet përmes ciklesh.

Nga cikli “Kërcënimi” vjen piktura e makinës fuoristradë mbi një rrugë të pashtruar. “Përçon siguri në mjedisin aspak të sigurt që e rrethon” – vijon Paci, ndërsa tregon me gisht kordelet e vendosura në pasqyrat e makinës, hollësi që  flasin se është nisur drejt një ceremonie dasme. “Piktura e Hilës duket sikur është e freskët. Ka disa detaje ku dallohet sesi piktori ka ndërruar mendje dhe e ka lënë ashtu”, bën me dorë nga një sfond shkallës ku grija e përdorur nga Hila duket si çimento e patharë, ende. Janë hollësi që mundet t’i kapë një sy i stërvitur si ai i një studiuesi arti.

Një pjesë qendrore në sallën e madhe të Galerisë së Arteve zë cikli i “Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’”. Institucione si përfaqësues të pushteteve në rrugëtimin e vendit.

Një bulevard i cili ka përjetuar si marshimet gjatë regjimeve autoritare, ashtu edhe protestat kundër këtyre regjimeve. Me atë pamje të Tiranës që nuk është më siç është mbërthyer në vështrimin e piktorit, por përpara tij publiku ndalet të kujtojë.

Një pikturë që i shërben memories kolektive, do ta quante këngëtarja Eliza Hoxha, arkitekte në profesion dhe e pranishme në bashkëbisedimin mbi ekspozitën  Hilës.  Edhe Hoxha ndan mendimin se pikturat e Hilës duket sikur janë të papërfunduar, duke u zhvilluar dhe në proces transformimi edhe ato vetë si edhe realiteti që ato pasqyrojnë. Një realitet që nuk ekziston më...

Jo rastësisht, as në mënyrë të pavetëdijshme, piktori ka zgjedhur sundimin e grisë në këtë cikël, ndërsa në një bashkëbisedim me studiuesen e artit Eleni Laperi, disa ditë më parë Hila do të shprehej “Bulevardi është diktatura, është Perëndimi, është metropoli. Mua më intereson mermeri me të cilat janë veshur ato ndërtesa;  Akademia, sheshi, kryeministria. Nuk më intereson koloriti, sepse situata është e ftohtë.” –ka  thënë Hila.Paci sheh gjithashtu elementë të sakrales në këtë cikël, të cilat nuk i vijnë syrit drejtpërdrejt, por si ndjesi, më të shtresëzuara në vepër.

Zef Paci ndalet në  ciklin e grafikave, të ekspozuara në vitrinat e qelqta në një kënd tjetër të galerisë. Janë  vizatime, skica dhe akuarele në letër titulluar: “Pularia”, “Propaganda”, “Fshati”, “Dinjiteti i njeriut” dhe “Deti i Jugut” . Krijime  të kohës së riedukimit të autorit në mjedisin e klasës punëtore, ku nga puna si skenograf në Radio Televizionin Shqiptar kaloi u detyrua të punonte në pulari. 

Gjatë kësaj periudhe përballet nga afër me vështirësitë e jetës në një realitet kompleks në të cilin ishin të përfshirë  të gjithë; punëtorë, burra, gra, administratorë, informatorë, sekretarë partie e të tjerë), të cilët në mënyrën e tyre, disa vuanin persekutimin, disa varfërinë, të tjerë përpiqeshin të mbijetonin pasigurinë apo frikën ndërsa të tjerë hipokrizinë e kohës. Reagimi kundrejt këtij realiteti nxiti dhe përcaktoi edhe metodën e tij krijuese. Paci, thotë se kjo periudhë e piktorit,  i cili vizatonte në fshehtësi i ngjan si skenë nga libri “1984” i  Xhorxh Oruellit.

Çastin e blerjes së një fletoreje vizatimi, nga dyqanet e regjimit socialist për të vizatuar  brenda saj subjekte të cilat nuk do ia shfaqte dot publikut , të destinuara për të mbetur të pashfaqura, ashtu siç edhe u titullua ekspozita e 2007-ës në Galerinë Zeta kur Hila i shfaqi këto punime për herë të parë.  I gjendur mes absurdit të kohës, së një regjimi prej “Vëllai të madh” që është në dijeni të gjihçkaje dhe nuk i shpëton asgjë vëzhgimit të tij, lirisë së fshehtë të një piktori me vetëdijen se bashkëkohësit nuk do e shohin, por edhe nëse brezat e ardhshëm do ta bëjnë, nuk  do të jetë i kuptuar.

Edi Hila dhe studiuesja Eleni Laperi.

Për Hilën, momenti i   dënimit dhe izolimit ishte një moment që përcillte edhe mungesën e këtij kontrolli. “ Kjo ka qenë arsyeja pse kam punuar  i lirë dhe në kushte optimale,  pa i dhënë llogari kurrkujt” – do i përgjigjej ai studiueses Laperi gjatë bashkëbisedimit në Galerinë Kombëtare të Arteve, dy javë më parë.

Paci ndalet për të vlerësuar ciklin “Shkodra”, cikli “Komfort”, “Qyteti pa Kinema”, ndërsa ngjitet në katin e dytë të galerisë. Godinat e epokës socialiste, monumentet e heronjve dhe tezgat e shitësve të rrobave të vjetra, është një tjetër tablo që mbledh në një të gjitha kontrastet e shqiptarëve, që kanë nisur të ndërtojnë kudo. Pallate të vjetruar, shtesa, aty ku pamja duket kaotike, Paci vëren një lloj strukture të mirëmenduar të piktorit, ku piktura duket primordiale dhe e pakohë.

Piktura  “Nën Diellin e Nxehtë”, një  tablo që përplas  disa realitet;  e shkuara me bunkerët, një anije në breg që simbolizon ikjen, hapjen, emigracionin, njerëzit që marrin rreze në breg dhe çadrat, që Paci ka dëshirë t’i shohë si flutura. Nëse do përdorte gjuhën kinematografike, Paci thotë se do e krahasonte këtë pikturë me një skenë “Feliniane”. “Nuk është e egër piktura edhe pse ka përplasje,  ka një lloj butësie” –thotë  studiuesi.

Në dukje alegorike, me të gjithë ata elementë kontrastues në të njëjtin vend, piktori në një bashkëbisedim me Adam Przywara –ën, pas çeljes së ekspozitës së tij në Muzeun e Artit  Modern të Varshavës, ka thënë se ajo pamje ishte duke e pritur atë.

“Njerëzit të shtrirë në rërë, duke marrë rreze apo nën çadra. Pranë tyre bunkerët e betonit nga koha e luftës dhe në horizont një anije e madhe industriale, e braktisur. E megjithëse një skenografi e tillë duket se është plot me konflikte të brendshme, ka ekzistuar aty në atë ditë kur unë e pashë.”, ka thënë Hila.

Cikli i tendave,  Paci e quan edhe një lloj frymëzimi biblik. “Një strukturë që tregon përkohshmërinë, e cila nuk ka themele, e lëvizshme, por në të njëjtën kohë krijon një lloj paradoksi si tenda mbi makinë” – thotë Paci.

Tenda, objekti që bleu për të kaluar pushimet me familjen, iu kthye në interes artistik, “Gjesti i vendosjes së tendës mbi çatinë e m kinës e bën tendën një simbol arkitekturor,  kombinuar me diçka simbolikisht moderne dhe teknologjike.” , do i përgjigjej Przyëara –ës Hila, ndërsa në këtë cikël ka bërë bashkë dy fenomene në dukje të kundërta; vendbanimin dhe migracionin, ikjen.

Cikli “Emigrimi”  ka ardhur në penelin e Edi Hilës jo vetëm si drama e emigrimit masiv, por edhe mungesa e strategjive të qarta për zgjidhjen e këtij problemi …Shpesh demokracia bëhet pengesë për vetveten.

Anija e parë nga pas, nga syri i një kundruesi në breg, cili nuk u largua me rënien e komunizmit.

“Nëse do të kisha ikur në vitet  ‘90 do të kisha humbur me gjasë lidhjet me realitetin shqiptar. Nga jashtë, nga largësia, dikush nuk është i aftë të lexojë se ç’po ndodh në një mënyrë të drejtpërdrejtë.” – ka thënë dikur Hila, ndërsa gjatë bisedës me Zef Pacin dhe dashamirës të arteve figurative kërkimi i së vërtetës artistike nuk ka qenë thjesht sjellja e realitetit, por ka qenë të kuptuarit e proceseve transformuese në një rend të ri ekonomik dhe politik.  E quan në një farë mënyre përleshje me kapitalizmin, që sipas Hilës nuk është vetëm fenomen shqiptar, por i përbotshëm. Sesi njerëzit mundohen të përshtaten në një rend të ri. Nëse socializmi kishte propagandën, rendi i ri kishte kapitalin, thotë Hila.

Nga kjo vijnë edhe seria “Comfort” që portretizon luksin e munguar të shqiptarëve dhe urinë për ta pasur në tranzicion e po ashtu edhe cikli ‘Penthouse’ ; godina që erektohen dhe bëhen interesante në arkitekturë në pjesë ne çative, ndërtesat e  të pasurve të rinj shqiptarë, njerëz që u pasuruan gjatë emigracionit dhe u kthyen në vend duke ndërtuar shtëpitë e tyre.

“Për t’i ndërtuar zakonisht investuan në shtesa çatish në majë të ndërtesave ekzistuese në qytet Duke i studiuar shihja emërtuesit e përbashkët estetikë. Një  tip i veçantë çatie përsëritej në dizajnin e dritareve e kishte tendencë të përdoreshin harqe, zakonisht ballkone të mëdhenj dhe shkallë spirale.” –ka  zbuluar Hila pas ekspozitës së tij në Varshavë, ndërsa sipas tij këto godina ishin shprehje e fortë e pozicionit të papërcaktuar në shoqëri të këtyre njerëzve që i ndërtuan.

Për kineasten Iris Elezi, e pranishme në këtë takim, piktura e Hilës e lartëson kaosin e tranzicionit në art. “Si brez i rritur gjatë atyre viteve,  unë e di mirë ku janë një pjesë e atyre pikturave të z.Hila, ku është djali me bilardo, bulevardi si ishte, ku janë disa prej atyre vilave dhe ajo për të cilën ne na vinte turp dhe jemi munduar ta fshehim nga bota, atë lloj kaosi që kemi jetuar dhe përjetuar, z.Hila jo vetëm që nuk e fsheh, por e merr dhe e kthen lartëson në art.”- tha Elezi.

Fakti që një subjekt zgjidhet mes një morie ofertash të realitetit nga piktori e sublimon atë. “Poezia vizive e tij e kapërcen narrativën, tenton  për ta eksploruar dhe ofron një vizion të thellë që pa i mbyll shtigjet na flet thjesht, por një  me realitet kompleks dhe gati sikur thotë: “Mos u imunizoni prej imazhit!””- thotë Zef Pac, ndërsa i vëllai Ardian Paci e cilëson Hilën jo vetëm si piktor të realitetit, por zbërthen marrëdhënien që ai ka me subjektin, atë pjesë të zgjedhur prej tij, përkthimi i imazhit dhe më pas piktura që na ofron që nuk është pasqyrim i thjeshtë i realitetit, por interpretimi i piktorit për atë pjesë të realitetit që na sjell.

Piktura “Nënë” nga seria “Imazh/Homazh” , Paci thotë se është një lajmëtare e një epokë të re, asaj eknologjike ...

Për Hilën ka lexim të dyfishtë,  nga njëra anë është portreti sentimental i nënës, e cila rrallë del nga shtëpia për shkak të sëmundjes së gjatë dhe nga ana tjetër  “jam i përfshirë në një debat me estetik, ose filozofik. I  referohet diskutimit që ka nisur në fillim të shekullit në akademi dhe forcoi teorinë e përfaqësimit të propozuar në filozofinë e  Jean Baudrillard. Mundemi pra që ta lexojmë këtë vepër si përfaqësim i një gruaje  që lëviz përmes imazhesh, duke u përpjekur   të lëvizë nga një imazh i pikturuar në një realitet tjetër, realitetin e ekranit.”, ka thënë Hila  për Adam Przyëara.

Kërkimi i së vërtetës artistike është thelbësore për praktikën e  të pikturuarit të Hilës. Përfaqësim i  i realitetit  të asaj çka e rrethon siç ekziston, është shumë më e rëndësishme për se çdo nocion tjetër i së bukurës. “Sensacioni, përshtypja, arsyeja pse. Me këtë jam marrë.” – thotë Hila për të pranishmit

Hila përpara pikturës "Mbjellja e Pemëve" gjatë çeljes së ekspozitës.

Është ky  moment që në subkonsh vjen si një ide e fundit të botës me situata që përjetojmë sot në atë që ndodh në politikën e madhe, ngrohjen globale, rreziqet e luftërave atomike. Një situatë që shkon dhe gjen përplasje”.Ajo që Hila na shfaq në pikturën e tij është mënyra sesi operon me subjektin, cilat janë tërheqjen e tij artistike dhe pse ka bërë zgjedhjet që ka bërë në kulturën e madhe, ku i ka gjetur referencat. Në ato çka ofron ai gjen përleshjen e artistit me kapitalizmin,

“Problemi i përleshjes me kapitalizmin  është i përbotshëm.  Më bëhet qejfi që është edhe shqiptar,  sepse  do të thotë që jemi të integruar.”- thotë Hila, ndërsa piktori sjell sesi ka ardhur kjo përleshje  përmes realitetit , shijes së gabuar, të rëndomtë , në korrelacion me historinë dhe jetën ton të përditshme. Hila thotë se ka ardhur  koha të seleksionohet një grup njerëzish,  që arrijnë ta vendosin  diskutimin mbi këto baza “përndryshe  Shqipëria do të mbetet një vend ku mbizotëron mediokriteti dhe arti banal.” –përfundon ai.

Ekspozita e çelur më 24 maj të këtij viti në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe e kuruar nga Joanna Mytkoëska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkololli,  i cili është edhe Drejtori aktual i GKA-së, qëndron e hapur deri më 29 korrik për  t’i ofruar kundruesit jo vetëm atë realitet transitor që ende përjetojmë, por atë që syri i piktorit ka kapur në këtë tablo të madhe të ndryshimeve ekonomike  e politike. Megjithëse piktura  e tij, thotë se nuk është politike, nuk qëndron shpërfillës ndaj asaj çka ndodh përreth, duke sjellë vende, situata, marrëdhënie që ngërthejnë karakteristikat e modernitetit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë