Lojëra me Dore

Edhe volejbolli del i lirë, po çfarë e bindi ministrinë?!

Edhe volejbolli është i lirë t’u kthehet aktiviteteve zyrtare. Ministria e Shëndetësisë, ashtu siç pritej, ka firmosur më datë 29 janar dokumentin për zhbllokimin e këtij sporti, pasi e kishte bërë këtë gjë pak ditë më parë me basketbollin.

Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit në faqen e saj zyrtare, ku shkruhet: “Në vijim të kontakteve që FSHV-ja ka pasur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka mbërritur edhe vendimi që hap dritën jeshile për rikthimin e aktiviteteve zyrtare. Klubeve dhe shoqatave do t’u komunikohet vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FSHV-së dhe informacioni e protokolli mbi mënyrën si do të veprohet me masat anti-“COVID-19”.

Vendimi i fundit nga ana e ministrisë konfirmon faktin se mbajtja “peng” e këtyre dy sporteve ka qenë thjesht një kapriço. Situata e pandemisë në vendin tonë është në po ato nivele si më parë, ndoshta edhe më keq, ndërsa basketbolli apo volejbolli nuk kanë plotësuar asnjë kusht shtesë për t’iu rikthyer sallave të mbyllura.

Dokumenti i firmosur për zhbllokimin e volejbollit. Gazeta Si, 1 shkurt 2021

Po ashtu, konfirmohet lajmi i Gazeta Si, se këto dy sporte kanë përfituar nga futbolli i sallës. Pasi Kombëtarja e futbollit të sallës kishte marrë lejen ditë më parë për të luajtur në “Feti Borova” ndaj Ukrainës, Ministria e Shëndetësisë befas vendosi të rikthejë në aktivitet edhe basketbollin dhe volejbollin, që ishin bllokuar që në mars të vitit të kaluar.

Vitin e kaluar, kur e vendos që futbolli t’i rikthehej në aktivitet për të përfunduar kampionatin, të njëjtën gjë kërkuan edhe basketbolli dhe volejbolli, por kërkesat e tyre u hodhën poshtë, duke qenë se bëhet fjalë për aktivitete në salla të mbyllura. Në fakt, këto dy sporte kanë më pak sportistë të angazhuar në një ndeshje, aq më tepër që volejbolli nuk ka as kontakt fizik, por sërish ministria nuk hapi rrugë. Tani u bind, por pa shpjeguar zyrtarisht pse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë