Shkëndijat e luftës tregtare që janë dhënë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha të botës nuk e trembin Elon Musk. Bosi i Teslas nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga një projekt i hershëm i tiji për të hapur një fabrikë prodhimi makinash elektrike për tregun e madh kinez dhe gjithë aziatik.
“Firmosëm një marrëveshje bashkëpunimi. Tesla do të ndërtojë një fabrikë të prodhimit të makinave elektrike në Shanghai të quajtur Gigafactory 3,” tha një zëdhënës i kompanisë së njohur amerikane ditën e martë.
Përshpejtimi i projektit për hapjen e fabrikës interpretohen nga analistët edhe si një masë mbrojtëse për të shmangur taksat e reja me të cilat Kina mund t’u kundërpërgjigjet prodhimeve amerikane, pas vendimit të Donald Trump për të tarifuar ato kineze.
Pjesa më e prekur është pikërisht teknologjia. Janë mbi 400 produkte që do të tarifohen nga SHBA, në një lëvizje që Donald Trump e interpreton si patriotike dhe të domosdoshme për të ruajtur rolin e Amerikës si lider në fushën e teknologjisë.
Veç kësaj, Tesla do të gjente në Shanghai edhe një krah më të lirë pune, çka do t’i mundësonte ulje të ndjeshme të kostos së prodhimit për njësi dhe hedhjen në treg të makinave me një çmim ndoshta më të lirë se ai aktuali.
Nuk ka asnjë afat konkret se kur nis puna, por kompania amerikane thotë “shumë shpejt” dhe pasi të kenë përfunduar burokracitë për lejen e ndërtimit.
Elon Musk premton se nga momenti i nisjes së punës do të nevojiten vetëm dy vite për të dalë me prodhimin e parë, ndërkohë që parashikohet që kjo fabrikë të hedhë në treg të paktën 500 mijë automjete elektrike, që fillimisht do të jenë vetëm për tregun kinez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.