Ndërkohë që një variant i ri shumë ngjitës i virusit SARS-CoV-2, i njohur si mutacioni Delta ose indian, po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandoi përdorimin e një maske për ata që janë plotësisht të vaksinuar.
Në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, pas progresit gradual të vaksinimit dhe rënies së rasteve të reja, masat e izolimit shoqëror dhe përdorimi i detyrueshëm i maskës filluan të hiqen. Numri mesatar i rasteve të reja në vendin tonë gjatë javës së kaluar është 2 raste të reja në ditë.
Por rekomandimi i OBSH për përdorimin e maskës për të vaksinuarit vjen për faktin se jo e gjithë popullata është vaksinuar dhe një shtam i tillë infektiv mund të çojë në shpërthime të reja.
Në Izrael, rreth gjysma e të rriturve të infektuar me mutacionin që u shfaq për herë të parë në Indi u vaksinuan plotësisht me vaksinën Pfizer.
Ky varint i ri është më i shpejti në përhapjen e tij deri më tani. Prania e tij është zbuluar në 92 vende të botës dhe ka të ngjarë të jetë mutacioni mbizotërues i koronavirusit në të gjithë botën.
Po ashtu ai është potencialisht më vdekjeprurës sepse, për shkak të natyrës së tij shumë infektive, do të infektojë më të prekshmit, veçanërisht në zonat me norma të ulëta vaksinimi.
Ky variant mund të çojë drejt simptomave më serioze, por gjithashtu të ndryshme nga simptomat e zakonshme të infeksionit Covid-19, siç i njihnim deri më tani. Kjo është arsyeja pse sipas OBSH pse progresi i vaksinimit dhe respektimi i rregullave të sigurisë janë të rëndësishme.
Qeveritë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë bërë thirrje për marrjen e masave për të shpejtuar fushatat e vaksinimit dhe vlerësohet se nëse një valë e katërt ndodh në vjeshtë për shkak të mutacionit, ajo do të godasë ata që nuk janë vaksinuar.
Shkencëtarët po japin alarmin duke theksuar se “mutacioni është tre herë më ngjitës sesa verën e kaluar” duke folur për përhapjen e tij të shpejtë, ndërsa theksojnë se është shumë i rrezikshëm.
“Mund të jetë shumë tragjike sepse përhapet në moshat më të reja. Ka një ngarkesë të madhe virale. Në ditët dhe muajt në vijim do të shihni transmetime të vazhdueshme. Në vend që të shihni një ose dy raste, ju do të shihni të gjithë familjen”, thotë eksperti grek George Pavlakis.
Në cilat vende mbizotëron
Shumë vende, të tilla si Indonezia, Rusia dhe Izraeli, tashmë janë duke përjetuar një ringjallje të numrit të infeksioneve të reja, e cila pjesërisht është për shkak të përhapjes së llojit Delta, ndërsa shumë vende janë në panik.

Britania ka raportuar një rritje të infeksioneve me mutacionin Delta, dhe zyrtari më i lartë i shëndetit publik të Gjermanisë ka parashikuar që varianti do të dominojë së shpejti, pavarësisht rritjes së numrave të vaksinimit. Varianti i koronavirusit Delta, i identifikuar për herë të parë në Indi në Prill, tani është përhapur në të paktën 85 vende, sipas OBSH-së.
Përhapja e shpejtë në Portugali
Po përhapet me shpejtësi edhe në Portugali. Më shumë se 70% e infeksioneve COVID-19 në zonën e Lisbonës vijnë nga varianti i llojit Delta, i cili po përhapet me shpejtësi në pjesë të tjera të vendit.
Zyrtari i Institutit të Shëndetit, Ricardo Jorge shpjegoi në raportin e tij se lloji Delta përbënte 51% të infeksioneve në Portugalinë qendrore, me prova që tregojnë se po “përhapet me shpejtësi” siç bëri në Britani.
Rastet e reja të infeksionit u rritën dje duke shkuar në 1604, duke kapur shifrën më të madhe që nga 19 shkurti, kur në vendin me dhjetë milionë banorë u vendos bllokimi.
Vaksinimi është një domosdoshmëri absolute
“Është nevojë absolute për t’u vaksinuar. Ne i kemi hequr maskat gabimisht dhe kryesisht sepse kjo jep sinjalin se “ka mbaruar”. Ky është mesazh plotësisht i gabuar. Duhen mbi 80% të vaksinuar dhe përsëri nuk është e sigurt që do të shohim një ndryshim të madh.
Ky virus transmetohet shumë lehtë dhe nuk është e lehtë të kontrollohet. Kemi një situatë të re. Askush nuk dëshiron ta dëgjojë, sepse të gjithë duam të shkojmë me pushime… ” tha George Pavlakis.
Në varësi të vaksinës, mbrojtja nga shtrimi në spital e të infektuarve me llojin Delta varion nga 92% në 96%, ndërsa nga sëmundja simptomatike nga 60% në 88%, bazuar në të dhënat e autoriteteve britanike.
Sipas profesorit të Universitetit të Kretës Nikos Tzanakis hulumtimet tregojnë se vaksinimi i plotë me vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca mbron pothuajse 100% nga sëmundjet serioze.
Lidhur me vaksinat Johnson & Johnson dhe Moderna, ai theksoi se hulumtimet përkatëse nuk kanë përfunduar por ka të ngjarë që ato të jenë po aq efektive.
Me llojin Delta, epidemiologët vlerësojnë se më shumë se 80% e popullsisë duhet të vaksinohen, pasi “nuk mund të mbështetemi shumë në imunitetin natyror” të atyre që tashmë janë infektuar me covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



