Edhe tani që nuk luan më në fushë dhe është i impenjuar si opinionist televiziv, irlandezi i famshëm i Mançester Junajtid, Roi Kin, mbetet një nga më të ”fortët” e historisë së Premier League. Për më shumë se 15 vjet, mesfushori dhe kapiteni i “Djajve të kuq” ka vënë rregull në fushat e blerta. Gjunjtë e kundërshtarëve dridheshin dhe shpesh kanë bërë edhe krak përballë ashpërsisë së irlandezit. Edhe jashtë fushe Roi Kin është përfshirë në episode të dhunshme. Por edhe “të këqijtë” kanë zemër të madhe, pavarësisht se përpiqen ta fshehin atë, si në rastin e Roi Kin.
Një Roi Kin ndryshe nga ai që njohin sportdashësit dhe njerëzit në përgjithësi e sjell në vëmendje të opinionit publik një ish-shok skuadre që ka luajtur me mesfushorin te Notingem Forest, Gari Çarls. Në vitin 1992, Çarls u përfshi në një aksident rrugor, ku humbi jetën një çiklist i ri. Lojtari i Nitingemit nuk kishte faj, por ai episod i diktoi më pas karrierën e tij futbollistike. Ishte grumbulluar edhe me kombëtaren në vitin 1991, ndërsa pas atij aksidenti u fut në rrugë të keqe, sidomos pas vitit 2002, kur u tërhoq nga futbolli. Ishte në rrugën e shkatërrimit. Alkol dhe burg për shkak se ngiste makinën i dehur. Në vitin 2005, një zënkë i kushtoi një vit punë për komunitetin. Dhe në atë moment ai mori një letër, që i ndryshoi jetën në sensin poozitiv. Miku i tij i vjetër, Roi Kin, ishte bërë trajner i Sandërlendit.
Mes kujtimeve të rinisë, në letrën e Kin për ish-shokun e skuadrës spikasnin dy fraza. E para ishte një frazë shumë e njohur e sinqeritetit njerëzor: “Mund të më kishte ndodhur edhe mua kjo që të ka ndodhur ty”. Kurse e dyta ishte një ofertë pune. Kin i ofronte ish-shokut të skuadrës një vend në stafin e tij te Sandërlendi, por edhe një vend për të fjetur, një divan të rehatshëm në shtëpinë e irlandezit.
Kështu dyshja e vjetër nisi një udhëtim mes stolit dhe dhomave të zhveshjes. Karriera e Kin si trajner nuk ka qenë brilante, por rezultati i tij më i mirë mban emrin e Geri Çarls. Ky i fundit tani ka licencën UEFA A dhe drejton skuadrën e futbollit të Universitetit të Notingemit. Dhe për këtë duhet të falënderojë gjithmonë Roi Kin, i cili për këtë histori nuk i ka treguar askujt asgjë. Me siguri ai ka një njeri që e mbron nga çdo kritikë dhe që nga Roi, më shumë se ndërhyrjet me takë dhe sparkatat, do të kujtojë diçka shumë më të rëndësishme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.