Në një gjendje debulese, herë me gjendje të fikëti dhe herë me të vjella, tre vajza që ndajnë të njëjtën shtëpi nxitonin herë pas here drejt tualetit për t’i hedhur vetes ujë të ftohtë, krejt të pafuqishme nga një helmim me ushqim. Të treja kishin thuajse të njëjtat simptoma, dhimbje barku, të vjella, ishin të zverdhura në fytyrë, mpirje duarsh dhe pafuqi për të qëndruar në këmbë. Përpiqeshin të kujdeseshin për njëra-tjetrën por ishte e pamundur për sa kohë ishin të gjitha në të njëjtën situatë, me të njëjtën marrje mendsh. Vajzat e reja i treguan Gazetasi.al se ushqimi i vetëm i përbashkët që kishin ngrënë dhe që dyshonin se i kishte helmuar ishte një shalqi. Ato treguan se edhe pse temperaturat jashtë nuk ishin aq të nxehta dhe ai ishte mbajtur për dy ditë në frigorifer, në temperaturën normale gjendja e tyre ishte shumë e keqe.
Të vjellat u shpeshtuan dhe vajzat e kuptuan që nuk mund të qëndronin më në të njëjtën gjendje, e kështu u drejtuan drejt urgjencës ku infermierët u vendosën menjëherë serum.
“Helmimi me shalqi është shumë i keq. Nëse do e kishin lënë më shumë pas dore pa bërë serum gjendja do të ishte përkeqësuar akoma më shumë dhe mund të kishin pasur edhe gjendje të fikëti.”-u kishte thënë nga infermieret atyre të cilat filluan të qetësoheshin rreth dy-tre orë pas marrjes së një serumi.

Por si mund të ndodh helmimi me këtë ushqim që në dukje është thjesht një produkt i freskët?
Nutricionistja Hyrida Basha thotë për Gazetasi.al se ka dy raste kur mund të kemi helmim nga ushqimi. E para kur produkti është toksikuar nga tepria e pesticideve të përdorura dhe e dyta kur është kontaminuar nga që nuk është ruajtur në mënyrën e duhur.
Shalqiri ka disa nga pesticidet më të pakta në krahasim me frutat e tjerë për shkak të lëkurës së trashë që ka ky produkt dhe vështirësisë së depërtimit të pesticideve të jashtme, por megjithatë pesticidet janë shumë të dëmshme për organizmin. Sipas toksikologëve pesticidet e shumta në një produkt mund të jenë kancerogjen dhe shkaktojnë mutacione në gjene dhe të dëmtojnë aftësitë e riprodhimit. Pesticidet ndikojnë edhe mbi sistemin imun duke e bërë superaktiv ose duke e dobësuar. Sipas një studimi të publikuar në BMJ, një revistë mjekësore nga sindikata e Shoqatës Britanike të Mjekësisë, simptomat e helmimit nga shalqini janë: marramendje, të vjella, dhimbje stomaku, të njëjta me simptoma të përjetuara nga vajzat që treguan historinë e tyre për Gazetasi.al.
Në studim thuhet se ka edhe pasoja të rënda, të helmimit të cilat karakterizohen nga dëmtimi i mukozës së zorrëve dhe stomakut dhe nxjerrja e feçes me gjak, një tregues që mëlçia është e bllokuar nga toksinat.
Basha tregon se vajzat duke qenë se e kanë pasur ushqimin në frigorifer të hapur janë helmuar si pasojë e mos kujdesit për shalqirin. Duke nisur nga kjo nurtricionistja shprehet se është e rëndësishme të jemi të shumë kujdesshëm me ushqimin gjatë stinës së verës.
Ajo shpjegon se duhet të kemi parasysh disa rregulla kryesore si:
- herë pas here të kontrollojë temperaturën e frigoriferit.
- të mos e hapim kot frigoriferin, por të hapet rrallë për të shmangur kontaminimin e ambientit të jashtëm me atë brenda frigoriferit.
- temperatura e frigoriferit të jetë 4-5 gradë celsius në mënyrë që të shmangim probleme të tilla.
ushqimet nuk vendosen të gjitha në një raft. - secila pjesë ka një temperaturë të caktuar për ushqime të caktuara, kështu që duhet të vërejmë edhe këtë lloj rregulli në frigorifer.
Basha thekson se tepër e rëndësishme është edhe pastrimi i herëpashershëm i frigoriferit. Ajo shton se duhet pasur parasysh që edhe vetë ushqimet kanë një temperaturë të caktuar dhe ato që i kemi shkrirë nuk duhet t’i ngrimë më.
“Problemi qëndron se ne nuk kemi gëlltitur një mikroorganizëm, por këto elementë kur shumohen lëshojnë disa toksina e ne kemi konsumuar toksinat që kalojnë më pas në traktin tonë intenstinal. Përgjithësisht është edhe problemi se ne vendosim disa lloj ushqimesh në të njëjtën pjesë të frigoriferit. Ky është një gabim sepse kështu ndodh kontaminimi i kryqëzuar. Nëse produkti është i kontaminuar ka rrezik që mund të kontaminojë edhe pjesën tjetër,” shpjegon Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




