Ekonomi

Edhe pas fiskalizimit, Shqipëria do të mbetet poshtë mesatares së Ballkanit në mbledhjen e të ardhurave

Qeveria është tejet optimiste se me sistemin e ri të fiskalizimit, të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë mandatit të tretë qeverisës sipas saj do të arrijnë në 31,1 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj do të garantonte disa ditë më parë në një konferencë për shtyp, se nuk do ketë më fshehje apo të dhëna të manipuluara ndërsa drejtoresha e Përgjthshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, duke iu referuar vendeve që e kanë zbatuar më herët këtë sistem, tha se kanë rezultuar në një mbledhje më të mirë të taksave nga 10-15 %.

Aktualisht, të ardhurat në Shqipëri në raport me PBB janë 27,8 %.

Sipas të dhënave zyrtare të Financave rritja e të ardhurave ka qenë vetëm me 3 pikë përqindjeje në 6 vite; nga 2013-2019 dhe më e ulët se vetë rritja ekonomike.

Por nëse i referohemi një qasjeje krahasuese me vendet e rajonit sa pa ndodhur fiskalizimi, Shqipëria ka nivelin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave. Të dhënat e OECD-së për vitin 2018 tregojnë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 37,1 % e PBB-së, teksa mbledhja e të ardhurave në Bosnje dhe Herzegovinë (më e larta) është 42,77% e PBB-së, kurse në Shqipëri 27,63 % e PBB-së, atë vit studimor.

Investimi i qeverisë nga paratë buxhetore për fiskalizimin do të kushtojë 18 mln euro, por kjo shumë dhe ky investim nuk i jep Shqipërisë ndonjë renditje dukshëm më të mirë.

Nëse supozojmë që treguesit e vendeve të rajonit në mbledhjen e të ardhurave qëndrojnë njëjtë me ato të vitit 2018, pra nuk rriten dhe Shqipëria arrin të shpjerë në arkën e shtetit të ardhura sa 31,1 % e PBB-së në fund të katër viteve të ardhshme, vërejmë që ajo prapë nuk e kalon mesataren e Ballkanit Perëndimor që është 37,1 % e PBB-së, e nuk krahasohet me Bosnje Herzegovinën, por potencialisht mund të jetë më mirë se vetëm Kosova dhe Maqedonia e Veriut; gjithmonë nëse ato mbeten në nivelin e mbledhjes së të ardhurave të vitit 2018.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një audit të 2019-s për reformën  e  formalizimit të ekonomisë jep një shpjegim të tij pse fiskalizimi nuk sjell ato pritshmëri të reklamuara.

KLSH në atë raport evidenton se Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk kanë pasur objektiva dhe një strategji të qartë për pajisjet fiskale si pjesë e një përmirësimi gjithëpërfshirës të luftës kundër evazionit fiskal, që do të përcaktonte qartë risqet për segmentet e ndryshme të tatimpaguesve dhe parashikonte masa për zbutjen e këtyre risqeve.

Teksa edhe pas fiskalizimit arka e shtetit nuk arrin të mbledhë të ardhura të krahasueshme me vendet e rajonit, të cilat nuk kanë një sistem të tillë digjital fiskalizimi, atëherë problemi nuk qëndron tek sistemi por diku gjetkë.

Nga vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare ekonomia informale, gri dhe e zezë vlerësohet se në Shqipëri është po aq sa ajo legale, rreth 50 përqind.

Nga ana tjetër, Shqipëria është vendi me barrën më të lartë të taksave në rajon dhe sërisht mbledh taksa më pak se vendet e tjera.

Po ku qëndron problemi? Për momentin, fiskalizimi nuk e ka shkëlqimin e pretenduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë