Nga Gazeta ‘Si’– Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të dytën herë me radhë kanë refuzuar që të formohet një komision për votimin e fshehtë për të votuar për kreun e ri të organit ligjvënës.
Seanca konstituive do të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.
Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Pas seancës, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë. Sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve po tenton që të “mbajë pushtetin me çdo kusht”, duke e akuzuar sërish se ka një mentalitet “të diktatit”.
“[Kreu i LVV-së, Albin] Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore që po e mban peng shtetin, po e mban peng Kuvendin”, tha ai, duke përsëritur thirrjen që LVV-ja të ndryshojë kandidaten për kryeparlamentare pasi tha se Albulena Haxhiu as në herën “e 100-të nuk do të kalojë”.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancën paraprake se ndryshimi i mënyrës së votimit, kur veçse Kuvendi ka qenë në proces të votimit për kryeparlamentarin është jokushtetuese.
“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiu. Kryetari i Parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata nuk reflektojnë”, tha ai.
Edhe Time Kadrijaj tha se ndryshimi i mënyrës së votimit është joligjor, teksa tha se kjo është një taktikë e LVV-së “që Haxhiu të mos dështojë sërish që të zgjidhet kryeparlamentare”.
Ajo sërish kërkoi që partia fituese e zgjedhjeve të ndryshojë propozimin për kryeparlamentar.
Para përpjekjes paraprake, më 1 maj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.
Po atë ditë, deputetët u mblodhën, por kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja kërkoi që të krijohet një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Por, PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzuan të propozonin ndonjë deputet për këtë komision dhe seanca u ndërpre.
Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15 prill dhe deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e tyre, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.
Pse po kundërshtohet Haxhiu?
Haxhiu po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja ta ndryshojë emrin për kryeparlamentar dhe madje AAK-ja ka përmendur edhe dy emra – Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi- nga partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të cilat ka thënë se do t’i votonte.
LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Por, LVV-ja ka argumentuar se Haxhiu është kandidate meritore dhe ka refuzuar thirrjet për të vendosur dikë tjetër në emër të saj.
Partitë, që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po synon që të imponojë votimin e Haxhiut dhe me “qëllim po bllokon procesin”, pasi kanë argumentuar se kjo parti nuk i ka as votat për Qeverinë e re të Kosovë – proces që pason konstituimin e Kuvendit – për formimin e së cilës po ashtu kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash.
Por, LVV-ja ka thënë se nuk po i detyron partitë që ta mbështesin kandidaten e tyre për kryeparlamentare. Kjo parti, ka thënë se nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për një cikël të ri zgjedhor, si opsionin e fundit për dalje nga situata e krijuar./ rel
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.