Politike

Edhe ndërtesa e Aviacionit Civil në shitje, PD: Do ndërtohet një kullë në vend të saj  

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka denoncuar se në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, hapësira e cila shërbente si zyra e ambiente për Aviacionin Civil, do të kthehet në kullë.

“Jemi këtu në zemrën e Tiranës së re, një nga zonat më të shtrenjta, dhe me dendësinë më të lartë në kryeqytet.

Godina pas meje, dhe gjithë hapësira, që aktualisht shërben si zyra e ambiente pune për Aviacionin Civil, shumë shpejt do t’i lërë vendin një kulle të lartë, që Edi Rama e ka planifikuar për një nga miqtë ose klientët e tij.

Plani jo transparent që ka kryeministri për godinat shtetërore, duket se nuk do të kursejë asgjë.

Trojet më të çmuara në kryeqytet do të kthehen në pazar të pastër me fitues të paracaktuar.

Kjo pjesë e Tiranës, ka nevojë për më shumë gjelbërim, më shumë ajër të pastër, me shumë hapësira për banorët. Ka nevojë për çerdhe, kopësht dhe shkollë.

Çfarë ofron Edi Rama është krejt e kundërta. Një grataçelë e re, që do të sjellë më pak gjelbërim, më pak hapësirë publike, më shumë ndotje të ajrit”, thotë Muçollari

“Kjo godina këtu, me gjithë hapësirat e saj, nuk është pronë e Edi Ramës. Këto janë prona shtetërore dhe publike, të ndërtuara nga taksat, nga puna, nga mundi i qytetarëve të këtij vendi.

Qytetarët nuk mund të lejojnë që Edi Rama të sillet si pronar i këtyre objekteve, për një aferë të re korruptive”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë