Politike

Edhe kandidati për Kavajën braktis Bindjen, reagon Patozi

Është tërhequr nga gara një tjetër kandidat për kryetar bashkie nga radhët e Bindjes Demokratike. Bëhet fjalë për Bledar Sinella kandidat për bashkinë e Kavajës, i cili ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën e tij për çregjistrim.
Në kërkesën dërguar KQZ-së është shprehur se i është vendosur emri në listë pa lejen dhe autorizimin e tij.
Kandidati i BD-së, gjithashtu ka pohuar se zgjedhjet pa pjesën tjetër të garuesve tregojnë qartë se këtu ka një tentativë moniste, që nuk i shërben rendit dhe demokracisë në vend.
Po ashtu dje pak orë pas regjistrimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njoftoi tërheqjen nga gara edhe kandidati Salvador Kaçaj nga radhët e Bindjes Demokratike në qarkun e Lezhës.
Kaçaj e cilësonte garën pa opozitën si false dhe në shërbim të Edi Ramës, duke njoftuar në këtë mënyrë heqjen dorë nga BD për t’iu ribashkuar PD-së. Po ashtu është tërhequr nga gara për zgjedhjet e 30 qershorit Dejvis Hebibasi, kandidat i Bindjes Demokratike në bashkinë e Çorovodës për shkak të presioneve që janë ushtruar ndaj tij.

Patozi: Nuk na ndalin dot

Largimet e kandidatëve të Bindja Demokratike në disa qytete të Shqipërisë, ka sjellë edhe reagimin e drejtuesit të kësaj force politike, Astrit Patozi. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Patozi shprehet se me këto lëvizje, duke aluduar se prapa tyre qëndron Partia Demokratike, Bindja nuk do të ndalet, pavarësisht dëshpërimit të partive të vjetra.
“Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi te Bindja Demokratike. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë. Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e Bindjes Demokratike”, shprehet Patozi.
Ai shkon edhe më tej duke e krahasuar situatën me gjuetinë e nazistëve kundër hebrenjve në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
“Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj hebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit. Është e pashembullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur. E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar. Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e Bindjes Demokratike”, thekson Patozi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë