Kombetarja

Edhe Ismajli lë pas dëmtimin, Silvinjo merr lajme të mira para Çekisë

Gazeta Si – Edhe 10 ditë na ndajnë nga supersfida me Çekinë, ku Shqipëria ka një shans të artë të për të siguruar kualifikimin në Euro 2024. Kuqezinjtë janë të parët në grup, me 10 pikë, kështu që në rast fitoreje më 12 tetor, ‘Gjermani 2024’ do të ishte një formalitet në 2 ndeshjet e mbetura.

Trajneri Silvinjo ka marrë lajme të mira nga kjo fundjavë në lidhje me disa nga lojtarët që kishin probleme fizike dhe kishin vënë në dyshim praninë ndaj Çekisë. Myrto Uzuni, jo vetëm që u kthye në fushë, por edhe shënoi në kampionat, duke qetësuar trajnerin brazilian sa i takon sulmit.

Ismajli gjate ndeshjes me Çekine ne Prage. Gazeta Si, 2 tetor 2023

Një tjetër lajm shumë i mirë për trajnerin e kombëtares është se mbrojtësi Ardian Ismajli ishte në stol në ndeshjen e fundit të kampionatit me Empolin, Ai nuk luajti, por fakti që ishte në dispozicion të trajnerit, është pozitiv.

Ismajli është një titullar shumë i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare. Bashkë me Berat Gjimshitin ai ka formuar një dyshe mjaft solide në qendër të prapavijës. Në dy ndeshjet e fundit Shqipëria ka pësuar vetëm një gol, atë në barazimin 1-1 në Pragë ndaj Çekisë. Meritat janë të gjithë ekipit, që mbrohet në bllok, por kuptohet që lojtarët e këtij reparti kanë një kontribut shumë të madh.

Për momentin, shqetësimi i vetëm i trajnerit Silvinjo mbetet Sokol Cikalleshi. Sulmuesi me eksperiencë është në fazë rikuperimi dhe mbetet të shihet, nëse do t’ia dalë për të qenë në fushë më 12 tetor në ‘Air Alania’, apo jo. Armando Broja ndërkohë po shton minutat me Çelsin, duke kënaqur edhe Silvinjon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë