Gazeta Si – Ndryshon drejtimi i garave në Formulën 1: në vazhdim do të përbëhet nga një ekip prej tre vetësh. Vendimet do të merren edhe me ndihmën e një moviole, administrimi i së cilës do t’u besohet specialistëve të FIA-s. Është i ndaluar komunikimi mes skuadrave dhe drejtuesve të garës.
Majkëll Masi nuk është më drejtori i garave në Çmimet e Mëdha të Botërorit të F.1. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i FIA-s, Mohamed Ben Sulajem, me një njoftim zyrtar. Vendimi është marrë pas hetimit që u bë nga FIA, pas vendimeve të marra nga Masi gjatë garës së Abu Dhabi 2021, që vendosi titullin e Botërorit mes Maks Vershtapen dhe Ljuis Hemilton.

“Që nga testet e Barcelonës më 23-25 shkurt do të jetë në detyrë një ekip i ri, – ka shpjeguar Ben Sulajem. – Masit, që e mori detyrën si pasues i Çarli Uhiting, do t’i ofrohet një rol i ri në FIA”. Sipas presidentit të FIA-s, Masi do të zëvendësohet nga një grup i përbërë nga Niels Uitish dhe Eduardo Freitas, që do të alternohen në rolin e drejtorit të garës dhe do të kenë edhe asistencën e Herbi Blash.
Pozicioni i Masit, që nuk kishte bindur me disa vendime kontroverse dhe të kritikuara gjatë 2021-shit, u lëkund pas garës së Abu Dhabit, për shkak të publikimit të disa materialeve audio të publikuara nga vetë F.1. Në një prej komunikimeve dukej sikur Masi merrte urdhra nga një drejtues i Red Bull-it se si duhej të vepronte me ‘Safety Car’.
Riorganizimi i drejtimit të garave, sipas direktivave të reja të FIA-s, parashikojnë futjen e një “Var”-i në stolin futbollistik (Virtual Race Control Room), kurse protokolli e makinave të parakaluara dy herë në rastin e ‘Safety Car’ do të hartohet para nisjes së Botërorit. ‘Control Room’ do të jetë në një zyrë të FIA-s jashtë cirkuitit, në mënyrë që lidhja të jetë vetëm virtuale dhe jo fizike, siç ka shpjeguar presidenti:
“Pjesëtarët e ‘Control Room’ mund të veprojnë me drejtimin e garës në kohë reale, në mënyrë që të aplikohen rregullat me ndihmën e të gjitha instrumentave teknologjike të disponueshme. Pa arbitra,” – ka thënë Sulajem.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




