Gazeta Si - Deputeti i PD, Asllan Dogjani për rreth 2 orë ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku është pyetur në lidhje me pasurinë.
Për mediat, ai u shpreh se SPAK po heton pasurinë e tij pas një kallëzimi që është bërë nga një ndërtues që ai e quajti “zaptues”.
Dogjani theksoi se i është ngritur një kurth nga Rama dhe Veliaj, ku SPAK po heton shtëpinë në të cilën banon me familjen.
"Isha për një kallëzim timin për grabitjen e një prone publike në Tiranë. Një tokë publike nuk mund të tjetërsohet. Unë kam komunikuar edhe me kryetarin e bashkisë, edhe me vetë Edi Ramën. I kam thënë se janë marrë hapësira publike dhe janë bërë parkingje. Ka ardhur edhe vetë ministri Balla dhe ka thënë që do ta ndjekim. Tani mora vesh që ky mashtruesi paska kushëri një deputet. Rama dhe Veliaj e organizojnë kurthin dhe i thonë këtij zaptuesi, kallëzoni Asllanin për pasurinë. SPAK është duke hetuar për shtëpinë time, për të cilën kam 20 vjet që jetoj atje me familjen".
Sipas Dogjanit, bëhet fjalë për një padi lidhur me një pronë publike që sipas tij është zaptuar në zonën ku banon, në Tiranë.
“Është një pallat i ndërtuar në vitin 2006 dhe ndërtuesi, zaptuesi në vend që të legalizonte pallatin për 20 vite, ka zaptuar një pronë dhe e ka legalizuar në mënyrë të paligjshme ish-kopshtin 33 bashkë me 210 m2 tokë. Por jo vetëm kaq, na ka zaptuar edhe pjesën tjetër shërbyese të pallatit që ishte planifikuar për lulishte. Dhe sot, nënat me fëmijë, pensionistët nuk mund të dalin përpara pallatit, sepse ky zaptuesi e përdor për parkim privat në 20 vite dhe përfiton nga ky parkim. Ne si banorë ju drejtuam me kallëzim penal SPAK-ut. Kemi bërë ankesa në Prokurori, te kryetari i bashkisë. Kjo tokë që është zaptuar ka qenë me pronar, por nuk u është kthyer pronarëve, sepse do të bëhej kopsht. Pjesa tjetër do bëhej lulishte. Iu drejtuam dhe Kadastrës", - tha Dogjani.
Sipas tij, "kallëzimi i SPAK-ut i kaloi Prokurorisë së Tiranës. Gjyqtarja nuk e pranoi praktikën që kishte bërë vetë Kadastra që e kishte anuluar. Gjyqi vazhdon se është në Gjykatë Apeli, njëkohësisht pronarët kanë bërë padi civile për ta rikthyer tokën në emrin e tyre. Kam komunikuar me Ministrin e Brendshëm dhe me vetë Edi Ramën. I kam thënë hajde mor zotëri, se siç ndodh te pallati jonë, ndodh në gjithë Tiranën. Ka ardhur dhe Balla aty e më tha ke të drejtë e do ta ndjekim”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.