Politike

Edhe Arbi Agalliu distancohet nga Basha, i bashkohet partisë së re: Nuk është alternativë dhe as koherent, iki nga grupi i PD

Deri pak kohë më parë ai mbante detyrën e sekretarit të grupit parlamentar të PD-së kur logoja ishte e Lulzim Bashës.

Arbi Agalliu sot distancohet edhe nga ky i fundit ku përmes një deklarate për mediat njofton largimin nga grupi parlamentar i PD-së dhe hedh sinjalet se do të bashkohet me grupimin e ri politik që pritet të regjistrohet në gjykatë iDe, ku pritet t’i bashkohen edhe zyrtarë të tjerë bashkëpunetore të Lulzim Bashës që sot nuk janë më me të si Enkelejd Alibeaj apo Roland Bejko.   

Pa i përmendur emrin por indirekt Agalliu ka sulmuar Lulzim Bashën dhe jo pak.

“Në politikë, sidomos në vendet e zhvilluara dhe përfaqësuese të demokracisë, koherenca në qëndrime është tepër domethënëse. Fatkeqësisht në realitetin shqiptar kemi politikanë të cilët të bardhës i thonë e zezë, atë që e akuzojnë dhe e shajnë e bëjnë partnerin më të çmuar apo dhe ndryshime qëndrimesh 180° brenda ditës. Në syrin tim, këta janë politikanë që ose kanë probleme dhe halle personale ose janë pupacë të të tretëve. Këta nuk mund kurrsesi të jenë alternativë dhe shpresë për Shqipërinë. Bazuar në formimin dhe parimet e mia, jam munduar të jem koherent në diskursin dhe qëndrimet që kam mbajtur”, shkruan Agalliu. Vetë Basha nuk është shkëputur nga grupi parlamentar i PD-së. Ai është shprehur se do të ndjekë rrugën ligjore për logon e partisë në gjykatën e Lartë.

Ndryshe nga ai ka vepruar Enkelejd Alibeaj i cili zyrtarisht ka bërë shkëputjen nga PD-ja një formë për ti treguar Bashës se ka ardhur koha për të krijuar një parti të re.

“...Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit fatkeqësisht vendosi që partia më e madhe opozitare ti kalojë Sali Berishës, i cili përfaqëson një politikë që nuk përkon me bindjet e mia, përveç problemeve që ka me drejtësinë apo me vendet simbol të demokracisë.

Sot duhet një opozitë larg hijes së korrupsionit dhe që ngjall shpresë për shqiptarët. Fatkeqësisht një grupim apo parti që në lidershipin e saj ka persona me probleme nuk mund të jetë alternativë. 

Nisur nga qëndrimet e mia të deritanishme dhe asaj që besoj, shpreh sot largimin nga Grupi Parlamentar i PD.

Demokrat nuk të bën as vula e as logo por qëndrimet dhe parimet, bindjet dhe besimi. Nuk mund të përfaqësojë të djathtën dhe demokratët as ish-sigurimi i shtetit, as ish-sekretarët e partisë dhe rinisë dhe as te indoktrinuarit e tyre.

Besoj fort se të djathtës i duhet riorganizim, bashkim si dhe DISTANCIM ndaj çdo faktori që nuk e përfaqëson atë”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë