Parlamentit pritet t’i shtohen edhe tre emra të rinj, pasi tre kandidatët nga listat shumemërore e PD-së kanë pranuar që të plotësojnë formularin e Dekriminalizimit.
Krenar Rryçi, Kostaq Papa dheAres Ypi sipas KQZ-së që pritet të marrin mandatin e deputetit. Rryçi ka qenë në listën e PD-së për qarkun e Durrësit i renditur i 18-ti, ndërsa Papa i 45-ti dhe Ypi i 40-ti në listën e PD-së për qarkun e Tiranës. Rryçi është aleati i PD-së, pasi përfaqëson Partinë e Reformave Demokratike dhe Kostaq Papa është i Partisë Emigracioni Shqiptar.

Ypi ndërkohë pati deklaruar se nuk do ta merrte mandatin e deputetit. Në një status në Facebook ai paralajmëronte pikërisht një gjë të tillë. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më ka dërguar njoftimin për marrjen e mandatit të deputetit si kandidat në listën e Partisë Demokratike. Në një situatë normale, ky do ishte një privilegj i jashtëzakonshëm, për të përfaqësuar interesat e demokratëve dhe qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Por, sot Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët, nuk është i zgjedhur nga qytetarët, dhe nuk mund të shërbejë si forum për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Gjithmonë kam vlerësuar se vendimi i PD për djegien e mandateve, ishte vendimi më i drejtë që ka marrë Partia që nga dita e themelimit. Ne demokratët, nuk mund të jemi fasadë në Kuvend. Me qartësinë e një të riu dhe me vullnetin tim të plotë, sot kam dorëzuar në KQZ, refuzimin për të marrë mandatin e deputetit dhe kam vendosur të jem krah qytetarëve në betejën e tyre historike për Shqipërinë si gjithë Europa”, shprehet Ypi.

Por përflitet se ka dërguar një tjetër letër në KQZ, ku shprehet se formularin e ka dorëzuar gabimisht dhe se tërhiqet nga vendimi i parë duke e refuzuar mandatin.
Deri tani, bashkë me Ypin bëhen 116 deputetë në Kuvend, 79 nga shumica dhe 37 nga opozita, 14 nga LSI+23 nga PD, ndërkohë që duhen edhe 24 deputetë për të plotësuar numrin 140.
KQZ apel për audituesit e fondeve të partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes zëdhënës Drilonaj Hoxhaj bëri thirrje për aplikim nga ana e ekspertëve kontabël me qëllim auditimin e financave të partive politike gjatë fushatës elektorale të 30 qershorit.
“Bazuar në rëndësinë e veçantë të transparencës së fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, i bëjmë apel ekspertëve kontabël të licencuar dhe ekspertëve financiarë, që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së brenda datës 6 Maj, për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor. Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël të licencuar dhe ekspertët financiarë, KQZ në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për Partitë politike, i ndryshuar, do të emërojë me short, një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiar për të monitoruar fushatën zgjedhore dhe ekspertësh kontabël të licencuar, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara për zgjedhjet e 2019”, theksoi Hoxhaj.

Sipas saj, ekspertët kontabël të regjistruar pranë Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet, të plotësojnë edhe kriteret e përcaktuara në Udhëzimet e KQZ-së. Hoxhaj bëri të ditur se ekspertët financiarë duhet të paraqesin brenda datës 6 Maj kërkesën pranë KQZ-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




