Biznes

Edhe 210 mln lekë grante për biznesin nga qeveria

Ministria e Ekonomisë ka dërguar në komisionin dedikuar Ekonomisë, projektligjin për t’i ardhur në ndihmë ndërmarrjeve mikro dhe të mesme me anë të granteve dhe shërbimeve mbështetëse.

Këtë vit do të shpërndahen nga qeveria edhe 210 mln lekë në formë grantesh që do të në ndihmë të ndërmarrjeve mikro dhe të mesme me qëllimin zhvillimin e tyre dhe ringritjen, pas dy vitesh vështirësi si pasojë e pandemisë.

Drejtoria e Politikave të Zhvillimit Ekonomik, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka hartuar tashmë projektligjin  të cilin e ka lexuar edhe Gazeta  “Si”.

Projektligji është depozituar në kuvend në fund të muajit dhjetor dhe pritet të diskutohet me nisjen e punimeve të kuvendit në ditët në vazhdim. 

Qeveria pranon se ka pasur një interes të ulët në skemat e bashkëfinancimit të AIDA-s, për shkak të mungesës së informacionit nga bizneset, mënyrës së aplikimit, e cila ka qenë nëpërmjet postës dhe jo në formë elektronike, mungesës së shërbimeve mbështetëse për biznesin etj.

Për këtë është vlerësuar shumë i nevojshëm rishikimi i kuadrit ligjor për mbështetjen e ndërmarrjeve për të qenë koherent me nevojat e tij.

Sipas raportit shoqërues të projektligjit deri më tani nuk ekziston asnjë mbështetje financiare direkte në formën e granteve për kërkime dhe zhvillim (R&D).

Për më tepër mungojnë programet për të financuar drejtpërsëdrejti bashkëpunimin e ndërmarrjeve dhe akademisë edhe pse, si ndërmarrjet, si organizatat kërkimore kanë të drejtë të aplikojnë për thirrje për propozime pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkim, Teknologji dhe Inovacion (të cilat janë të kufizuara në shumën e fondeve të ofruara për shkak të alokimeve të ulëta të buxhetit të shtetit).

Referuar projekt-raportit të monitorimit të SEE 2020 të RCC-së për vitin 2019-2020, raportohet se gjenden statistika të besueshme dhe gjithëpërfshirëse për kërkimin, zhvillimin dhe inovacionin (R&D dhe Inovacion) në shtetet e rajonit, si Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ndërkohë që tri ekonomitë e tjera të ËB (Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë-Herzegovinë) nuk kanë bërë asnjë përparim në këtë fushë.

Objektivat e projektligjit janë që të rritet me 50 përqind mbështetja e ndërmarrjeve mikro dhe të mesme.

Gjithashtu, synohet rritja e aplikimeve për teknologji të reja nga zero aktualisht në 50% brenda vitit 2022.

Me anë të kësaj pakete financiare synohet rritja çdo vit e numrit të ndërmarrjeve të reja, rritja e numrit të të punësuarve si edhe futja e instrumenteve të reja financiare me 10%, respektivisht për çdo tregues, rritja e shkallës së përthithjes së granteve me 100% nga bizneset.

Paketa financiare 2022-2024

Në këtë projektligj janë llogaritur si kosto për buxhetin e shtetit shuma për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nëpërmjet AIDA-s, në formën e mbështetjes financiare (grante) dhe shërbime mbështetëse (si trajnim, këshillim etj).

Projektligji garanton për herë të parë mbështetje buxhetore. Ministria e  Finacave thotë se masat mbështetëse për NMVM-të do të përcaktohen me ligj për të gjitha ndërmarrjet pavarësisht sektorëve ku operojnë. Aktet nën ligjorë do të dalin nga Këshilli iMinistrave.

NMVM-të, për të përfituar mbështetje financiare buxhetore duhet të përmbushin kriteret e të qenit person fizik apo juridik i regjistruar në QKB për minimalisht 12 muaj. Subjektet nuk duhet të jenë në proces falimentimi dhe të kenë  paguar rregullisht sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore.

Nuk duhet të kenë detyrime ndaj organeve doganore dhe tatimore, në momentin e dorëzimit të kërkesës për përfitim fondi dhe të kenë dorëzuar deklaratën, në përputhje me parashikimin e dhënë në nenin 5, të këtij projektligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë