Analize

Edhe 100 vite pas vdekjes, hija e errët e Leninit bie ende mbi ne

Nga Bohdan Nahaylo* – U mbushën 100 vite nga vdekja e Vladimir Iliç Leninit. Për të janë shkruar shumë lavde dhe një “fe” virtuale komuniste laike, me sektet e saj të ndryshme, është e bazuar mbi trashëgiminë e tij. Së pari, s’ka nevojë të përsëritet ajo që tashmë është thënë për të.

Në Rusi, por edhe në perandorinë sovjetike që krijoi, Lenini është hyjnizuar, edhe dhe pse kufoma e tij ruhet ende e ekspozuar në Sheshin e Kuq të Moskës, si të ishte ndonjë shenjtor laik i ditëve të mëvonshme.

Por meqë ky ideolog i shquar rus i marksizmit, mbetet një figurë e diskutueshme; dhe shumë njerëz, veçanërisht jashtë zonave ku sundimi komunist u imponua nga ai dhe pasardhësit e tij, e konsiderojnë ende atë si një hyjni politike që duhet adhuruar, nga këndvështrimi i realiteteve aktuale në Ukrainës, ia vlen të përmenden disa fakte.

Lenini ishte një tiran fanatik,që përdori aftësitë e tij intelektuale dhe zellin obsesiv për të marrë pushtetin dhe për ta ndryshuar botën nëpërmjet shkatërrimit me çdo çmim të rendit të vjetër, duke e zëvendësuar këtë me një version utopik radikal të klasës punëtore që do të merrte vetë pushtetin.

Në funksion të arritjes së këtij synimi, sjellja e tij e pamëshirshme e lartësoi parimin e njohur “qëllimi justifikon mjetet”. Rrjedhimisht, ishte ai që ishte përgjegjës më shumë se gjithë kolegët e tij bolshevikë, për krijimin e sistemit komunist sovjetik të bazuar tek intoleranca politike dhe terrori si një instrument i politikës shtetërore.

Kjo u pasua nga ripushtimi i kombeve jo-ruse, që synonin të krijonin shtete të pavarura pas rënies së sistemit perandorak carist rus, apo “burgut të kombeve”, siç e kishte quajtur vetë ai në vitin 1914.  Po ashtu, është gjithashtu e rëndësishme të rrëzohet një miti i promovuar nga bolshevikët: që në nëntor 1917 ata përmbysën sistemin despotik të Carit.

Në fakt, ajo që bëri Lenini dhe ndjekësit e tij radikalë, ishte shkatërrimi i demokracisë së re ruse që ishte shfaqur në momentin kur Car Nikolla II abdikoi nga froni në mars të atij viti. Ata e paraqitën veten para botë sikur e sulmuan Pallatin e Dimrit të Carit në Shën Petersburg, kur në fakt ajo që bënë ishte rrëzimi i qeverisë së përkohshme, demokratike por shumë të dobët.

Në janarin e vitit 1918, pas zgjedhjeve të paprecedenta demokratike për Asamblenë Kushtetuese Ruse, ku bolshevikët morën vetëm çerekun e votave, ata e shpërndanë parlamentin e sapozgjedhur. Pasi morën kontrollin e kryeqytetit rus, Lenini dhe forcat e tij bolshevike u përpoqën menjëherë të rivendosnin kontrollin mbi rajonet jo-ruse.

Ata luftuan kundër ushtrive ruse “të bardha” anti-bolshevike, veçanërisht atyre të përqendruara në Ukrainë, që ishin armiqësore ndaj pavarësisë së Ukrainës.

Këtu lindi edhe koncepti i “Luftës Civile Ruse”. Por ukrainasit nuk donin të ishin pjesë e një perandorie ruse të reformuar si një “shtet punëtorësh” gati-internacionalist, duke i privuar ata nga mundësia për të negociuar statusin e tyre të ardhshëm me parlamentin e sapozgjedhur rus.

Ata e shpallën pavarësinë e tyre më 22 janar 1918 në Kiev, edhe pse forcat bolshevike po përparonin drejt kryeqytetit ukrainas. Për lidershipin demokratik ukrainas, lufta e njëkohshme ushtarake kundër ushtrive ruse “të kuqe” që mbështesnin Leninin, dhe ushtrive monarkike të gjeneralit Denikin dhe të tjerëve, ishte lufta e Ukrainës për çlirim kombëtar dhe jo pjesë e një lufte civile ruse.

Lenini e kuptoi rëndësinë jetike të Ukrainës, jo vetëm për shkak të zonës së saj industriale në Donbas, por edhe për shkak të prodhimit të saj të madh bujqësor. Në vitin 1919, ai paralajmëroi se pa drithin ukrainas “do të zhdukej në mënyrë të pashmangshme pushteti sovjetik në provincat ruse”. Ndaj u kërkoi komandantëve të tij ushtarakë të përshpejtonin pushtimin e vendit të pavarur që po rebelohej.

Deri në vitin 1920, bolshevikët dominuan ushtarakisht si mbi armiqtë e tyre të ushtrive të bardha monarkiste, por edhe mbi ukrainasit që luftonin për lirinë e tyre. Por fitorja ushtarake, e la Leninin me dilemën se si të konsolidonte sundimin ende shumë të pasigurt bolshevik në Ukrainë dhe në rajone të tjera jo-ruse.

Për më tepër, Ukraina kishte shpallur pavarësinë dhe kishte luftuar për të. Sovraniteti i saj u njoh nga Fuqitë Qendrore në shkurt 1918 nga Traktati i Brest-Litovsk, madje edhe përkohësisht nga vetë Rusia Sovjetike, dhe bolshevikët ukrainas po kundërshtonin haptazi një rikthim tek Rusia e vjetër, pra tek mënyra koloniale e drejtimit të vendit të tyre.

Dhe në atë moment, Lenini shfaqi ndjeshmëri të mprehtë politike dhe një dinakëri që përgjithësisht i mungonte udhëheqjes së re sovjetike në Moskë. Ndërsa shëndeti i tij filloi të përkeqësohej me shpejtësi nga gjysma e dytë e vitit 1921, pas një atentati ndaj tij 3 vite më parë, udhëheqësi sovjetik zgjodhi një shkallë kompromisi dhe butësie të përkohshme.

Kjo qasje, synonte të forconte atë që ishte arritur me pushtimin ushtarak, duke përdorur taktikën që ai diku tjetër e përshkroi si “një hap prapa, dy hapa përpara”. Së pari, Lenini e kuptoi se nuk ishte më e mundur të riemërohej shteti i ri “sovjetik” si një shtet unitar rus, siç ishte quajtur Perandoria Ruse.

Kështu, me gjithë kundërshtimin e disa prej hierarkëve të tij kryesorë, dhe sidomos gjeorgjianit Josif Stalin, që në atë fazë po tregohej se ishte më rus në pikëpamje se disa nga shokët e tij rusë, Lenini mbrojti idenë e njohjes së rajoneve jo-ruse si republika formalisht të pavarura.

Lenini dhe Stalini

Supozohej se klasat e tyre punëtore po bashkoheshin “vullnetarisht” me Rusinë për të krijuar një Bashkim të Republikave Socialiste Sovjetike. Po ashtu, Lenini vendosi që për të fituar mbi jo-rusët, të cilët ashtu si ukrainasit ishin kryesisht ende një popullsi rurale, dhe për të arritur “rrënjosjen” e sundimit komunist midis tyre, duhej t’i bëheshin lëshime fshatarësisë në formën e një “Politikë të Re Ekonomike” më liberale.

Dhe nga kjo e fundi, lindi edhe njohja e nevojës për të bërë lëshime të kontrolluara në sferën kulturore. Ato duhej të ishin të tilla, që sundimi sovjetik të mos dukej hapur si dominim rus që po vazhdonte edhe nën sundimtarët e rinj. Në dhjetorin e vitit 1922, teksa u përshkallëzua konflikti i tij me Stalinin mbi formën që do t’i jepej politikës së re sovjetike, një Lenin i sëmurë dhe që tashmë dergjej në shtrat, diktoi mendimet dhe këshillat e tij mbi atë që u bë i njohur si “Testamenti” i tij për çështjen e kombësive.

Dhe vëzhgimet e tij të sinqerta të bëra më shumë se 100 vjet më parë mbi të kaluarën perandorake të Rusisë, mbeten shumë të rëndësishme edhe sot, në raport me mendësinë imperialiste të udhëheqjes aktuale të Kremlinit.

Lenini theksoi në atë kohë, se për të bërë të zbatueshëm një bashkim të ri të republikave “sovjetike”, vetë rusët duhej të hiqnin dorë nga qasja e tyre perandorake. Ai nënvizoi se ishte e nevojshme që “të mbroheshin jo-rusët nga sulmi i njeriut vërtetë rus, i shovinistit të madh rus, pra në thelb një tirani, siç është burokrati tipik rus”.

Pavarësisht nga pozicioni më i nuancuar i Leninit në vitet e tij të fundit të jetës, rreth kushteve në të cilat rusët dhe jo-rusët mund të bashkëjetonin në një shtet të vetëm të maskuar si një “federatë”, ai mbahet mend në Ukrainë si arkitekti i sistemit totalitar komunist sovjetik, si shkatërruesi i përpjekjes së Ukrainës për pavarësi kombëtare në vitet 1917-1920, dhe si krijuesi i Bashkimit Sovjetik.

Pas vdekjes së tij, në krye u ngjit Stalini që gradualisht shfrytëzoi sistemin që kishte krijuar Lenini, duke shkaktuar pasoja edhe më të tmerrshme. Ai hoqi dorë nga lëshimet në sferën ekonomike dhe kulturore, dhe e rivendosi theksin nga Internacionlizmi në një rusifikim të shfrenuar.

Ndërsa vazhduan të promovonin kultin e Leninit, pasardhësit e Stalinit, Nikita Khrushchev dhe Leonid Brezhnev, iu përmbajtën në fakt qasjes së Stalinit në këtë drejtim. Kjo i dha mundësi intelektualit të famshëm ukrainas Ivan Dziuba, të shkruante kritikën e tij njohur të vitit 1965 ndaj politikës së kombësive sovjetike, në një ese me titull “Internacionalizëm apo Rusifikim?”.

Ajo protestë e hapur, lajmëroi shfaqjen e disidencës dhe opozitës post-sovjetike kombëtare në Ukrainë. Pasi Ukraina e siguroi përfundimisht pavarësinë e saj në vitin 1991, statujat e Leninit që ishin vendosur në çdo qytet ukrainas nga pasardhësit e tij si simbole të dominimit të Moskës, u shkatërruan gradualisht.

Paralelisht me këtë proces u zbulua e vërteta e hidhur, mbi atë që përfaqësonte ai dhe bashkëpunëtorët e tij bolshevikë. De-komunistizimi dhe de-rusifikimi, i përshpejtuar nga rikthimi i Rusisë tek ambiciet e saj imperialiste, janë shndërruar sot në rendin e ditës në Ukrainë.

Mjerisht, ashtu siç Lenini nuk mund të kthehet në varrin e tij për shkak të gjithçkaje që ka ndodhur (kufoma e tij është balsamosur dhe ruhet në një mauzoleum), edhe kufoma e mumifikuar e perandorisë ruse, nuk po lejohet që të zhduket nga “shovinistët e fuqisë së madhe” në Kremlin, të cilët po përpiqen me kot që ta ringjallin atë.

Burimi: Kyiv Post/Përshtati Gazeta Si

*Bohdan Nahaylo është gazetar britaniko-ukrainas, kryeredaktor i “Kyiv Post”. Me herët ka qenë zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë