Shkencë

Ecte me vështirësi, pacienti me Parkinson arrin të përshkojë kilometra falë implantit

Për herë të parë, një pacient me fazë të avancuar të Parkinson ka mundur të ecë për rreth 6 km pa probleme, me ndihmën e një implanti që stimulon nervat në shtyllën kurrizore.

Marc Gauthier, 63 vjeç nga Bordo, Francë është personi i parë që provon pajisjen për të cilën thotë se i ka dhënë një mundësi të dytë në jetë. Tashmë ai mund të përshkojë kilometra, ndërsa më parë duhej të qëndronte në shtëpi dhe rrëzohej disa herë në ditë.

Risia e shkencës dhe mjekësisë është botuar në Nature Medicine. Përpara implantit, Gauthier thotë se e ka pasur shumë të vështirë të qëndrojë në këmbë për një kohë të gjatë apo të ngjisë shkallë.

Trajtimi ka ndaluar “ngrirjen” që pacientët me sëmundjen e Parkinsonit përjetojnë dhe kur pajisja është e ndezur, ecja e pacientit duket tërësisht normale.

“Të hipësh në një ashensor tingëllon e thjeshtë por për mua ishte e pamundur më parë”, thotë 63-vjeçari. 

“Tani s’e kam problem. E ndez stimuluesin në mëngjes dhe e fik në darkë. Kjo më ndihmon të eci më mirë dhe të stabilizohem. Tani nuk kam më frikë as nga shkallët. Çdo të diel, shkoj te liqeni dhe përshkoj rreth 6 km. Është e pabesueshme”.

Stimuluesi vendoset në pjesën lumbare të shpinës kurrizore prej së cilës dërgon mesazhe te muskujt e këmbëve. Gauthier mundet ta kontrollojë sepse është truri ai që e udhëzon, por implanti prodhon sinjale elektrike për një rezultat më të mirë.

Trajtimi nuk është një kurë sepse Parkinsoni është sëmundje që përkeqësohet. Truri i personave që vuajnë prej tij nuk ka mjaftueshëm dopaminë sepse disa prej qelizave nervore që e prodhojnë nuk funksionojnë më.

Simptomat e Parkinsonit shfaqen me dridhje të pavullnetshme të disa pjesëve të trupit, lëvizje të ngadalta dhe ngurtësim të muskujve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë