Nga Gazeta ‘Si’- Problematika e shfaqur në Greqi për shpërndarjen jo të rregullt të zarfave me votë nuk është një fenomen dhe nuk cënon procesin e votimit të emigrantëve.
Kryekomisioneri Shtetëror për Zgjedhjet Ilirjan Celibashi e bëri konstatimin në një intervistë për Gazetasi.al vetëm 1 ditë para mbylljes së afatit për dorëzimin e zarfeve nga emigrantët.
“Problematikat e shërbimit postar në një numër shumë të kufizuar nuk mund të vendosin në diskutim vlerën e votës së diasporës.”- u shpreh Celibashi, duke u kërkuar zgjedhësve të kontaktojnë me KQZ-në për çdo shqetësim që kanë në lidhje me votën, pasi është e vetmja mënyrë për të përmirësuar shërbimin dhe, më pas, për të kërkuar llogari.

Aktualisht, Shqipëria nuk ka bërë asnjë pagesë për DHL-në, kompaninë që fitoi kontratën 10 milionë euro për dërgimin e votës së emigrantëve me postë. Mënyra e zbatimit të kontratës do të vlerësohet pas zgjedhjeve, por e sigurtë është që tani, se, të paktën për rastin e Greqisë, me nënkontraktimin e kompanive të tjera postare, kontrata është shkelur.
“Kontrata e KQZ me DHL nuk e lejon nënkontraktimin e shërbimit postar sipas objektit të kontratës.”- tha kryekomisioneri shtetëror për zgjedhjet Ilirjan Celibashi për Gazetasi.al.
Gazeta Si: Kryeministri Rama u dha zë shqetësimeve për postimin e zarfit të votës në Greqi. Çfarë ka ndodhur realisht atje?
Ilirjan Celibashi: Ne kemi marrë disa shqetësime nga partitë politike në lidhje me standartin e shërbimit të ofruar nga operatori i shërbimit postar për dorëzimin e dokumentacionit zgjedhor. Nuk e themi dot tani se sa ka të vërteta dhe sa ka spekullim në çfarë prezantohet në rrjete në lidhje me këtë çështje. Ka vetëm një mënyrë për të kuptuar se sa problem kemi. Çdo zgjedhës nga jashtë për problemin që ai mund të ketë për marrjen e zarfit të, duhet të raportojë direkt në KQZ, nëpërmjet PER. Pra nëpërmjet platformës elektronike, ku ai është regjistruar si zgjedhës.
Gazeta Si: Keni marrë denoncime ju se zarfi është dorëzuar jo personalisht, por në grup?
Ilirjan Celibashi: Janë 152 problematika të raportuara në total. Kjo që zarfi nuk është dorëzuar personalisht, por në grup, nuk është raportuar në KQZ. Nga komunikimet me partitë na është prezantuar si shqetësim, por nuk mund të konfirmojmë dhe as të mohojmë në lidhje me ekzistencën e një problematike të tillë.
Gazeta Si: Kryetari i PD së degës Athinë ka nxjerrë një foto me mbi 10 zarfa votash në trotuar. Ka patur edhe foto të tjera të ngjashme në rrjet. Pse po ndodh kjo?
Ilirjan Celibashi: Nuk e dimë nëse ka ndodhur apo jo. Kjo ka nevojë për hetim më të thelluar. Por as ne dhe, besoj asnjë institucion tjetër, nuk mund të verifikojë mbi vërtetësinë e këtyre pretendimeve, nëse ato nuk adresohen ashtu si duhet në institucione.
Gazeta Si: A ka dërguar KQZ një përfaqësues në Greqi apo të keni biseduar me DHL për problemet e shfaqura nga qytetarët?
Ilirjan Celibashi: Jemi në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e DHL këtu. Kemi patur komunikime dhe me DHL Greqi. Ata thonë që problematikat janë sporadike dhe se ka shumë spekullim.
Gazeta Si: Është e pranueshme sipas kontratës që DHL ta shpërndajë zarfin e votës përmes nënkontraktorëve?
Ilirjan Celibashi: Kontrata e KQZ me DHL nuk e lejon nënkontraktimin e shërbimit postar sipas objektit të kontratës.
Gazeta Si: Në një njoftim të së shtunës, KQZ bëri të ditur disa pika të reja postare të DHL në Greqi. Nuk është zbatuar mirë kontrata atje? Pse duheshin këto pika të reja?
Ilirjan Celibashi: Njoftimi synon të ndihmojë ata zgjedhës të cilët deri tani nuk kanë marrë asnjë njoftim në lidhje me zarfin e dërguar nga KQZ. Janë ajo kategori të cilët gjatë regjistrimit në PER kanë dhënë adresa jo plotësisht të sakta dhe/ose numër telefoni dhe adresë e-mail jo të saktë. Për zbatimin e kontratës do të flasim me kontraktorin pas përfundimit të procesit. KQZ nuk ka bërë asnjë pagesë deri tani.
Gazeta Si: Ka probleme të tilla me votën e emigrantëve në Greqi apo kudo tjetër që të vendosin në diskutim integritetin e procesit zgjedhor?
Ilirjan Celibashi: Unë, jashtë çdo interesi, vlerësoj se procesi i votimit nga jashtë ka shkuar shumë mirë. Nuk është perfekt. Do të doja të ishte perfekt dhe për këtë kemi punuar shumë. Nuk është i tillë, por është vertet i një standardi shumë të lartë.
Problematikat e shërbimit postar në një numër shumë të kufizuar nuk mund të vendosin në diskutim vlerën e votës së diasporës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.