Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në zonën e Treshit në Tiranë. Një amerikan mbyti me litar bashkëshorten e tij këtë të hënë në shtëpinë e tyre në Laprakë të Tiranës. Pas saj mbyti edhe dy qentë e familjes e më pas u vetëvra, po me litar.
Viktimat janë Indah Lilis Sartika Saragih dhe Matthew James Wertz, 55-vjeç. Ky i fundit punonte si pedagog në një shkollë private në kryeqytetin shqiptar.
Sipas burimeve, ishte drejtori i shkollës në fjalë, ai i cili gjeti trupin e pajetë të pedagogut, pasi 55-vjeçari nuk kishte shkuar në punë.
Më pas në vendngjarje shkoi policia, e cila zbuloi trupin e pajetë të bashkëshortes së tij me origjinë nga Indonezia, por me pasaportë amerikane.
Pasi mbyti gruan, Matthew James Wertz e mbuloi trupin e saj me rroba dhe sipër tyre vendosi 2 qentë. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur në kushte depresioni, por kjo është pistë paraprake dhe po hetohet nga policia.
“Më datë 19.08.2024, në kryqëzimin e rrugës “Valbona” me rrugën “Ramazan Ceku”, është vetëvarur në banesë (të marrë me qira) shtetasi amerikan M.W., 55 vjeç, dhe si pasojë ka ndërruar jetë”, njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




