Ka ndodhur

E reja rrezikoi të mbytej, shpallet në kërkim administratori i pishinës

Gazeta Si – Një vajzë 25-vjeçare rrezikoi të mbytej në një pishinë pranë një resorti në Linzë të Tiranës një ditë më parë.

Pamjet e kamerave tregojnë se shoqëruesi i saj dhe vetë e reja po luanin në ujë në momentin kur ndodhi ngjarja.

Stafi i lokalit i pyetur në polici ka shpjeguar se pishina ka qenë e mbyllur për shkak të orarit dhe motit me shi dhe se dy të rinjve iu ishte bërë i ditur ky fakt.

Ndërkohë, administratori i pishinës në Linzë, ku rrezikoi të mbytej 25-vjeçarja është shpallur në kërkim.

Policia thotë se 52-vjeçari Y.H., akuzohet për veprën penale ‘shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, pasi nuk kishte caktuar përgjegjës për pishinën, siç e parashikon ligji.

Ndërkohë, 25-vjeçarja E.T., vijon të jetë në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.

Ajo ishte duke u larë në pishinë bashkë me shokun e saj dhe paraprakisht mësohet se asnjë prej dy të rinjve nuk dinte not.

Të pyetur nga policia, anëtarët e stafit u kanë thënë hetuesve se pishina ishte mbyllur për shkak të orarit dhe kushteve të motit që u shoqërua me reshje shiu në Tiranë pasditen e të hënës.

Më pas videot kanë regjistruar momentin kur vajza mbetet në ujë dhe shoqëruesi i saj del në breg dhe fillon të thërrasë duke goditur bordurën.

Pas këtyre thirrjeve anëtarët e stafit kanë shkuar duke u hedhur në ujë ku kanë bërë nxjerrjen e trupit të 25-vjeçares e cila u dërgua për ndihmë mjekësore në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë