Disa vite më parë, danezi Kasper Dolberg konsiderohej si një nga sulmuesit më premtues të Europës, teksa shkëlqente me Ajaksin. Tani ai luan me Nisën dhe ka marrë vëmendjen e shtypit me faktin se vuan nga diabeti. Diçka e pazakontë kjo për një futbollist.
Kur luante me Ajaksin, danezi shënonte rregullisht dhe regjistronte shifra impresionuese. Nuk ishin pak skuadrat e mëdha që e kërkonin, por më pas numrat e tij ranë dhe nga Amsterdami shkoi në Francë, te Nisa. Ka pasur probleme me ambientimin, por edhe pasi i kaloi ato, sërish nuk mundi më të gjente atë venën e golit që e bëri të famshëm.

Tani vjen edhe njoftimi për problemin shëndetësor. Dolberg ka pohuar nëpërmjet Instagramit se vuan nga diabeti dhe se për këtë arsye ai ka humbur ndeshjet me kombëtaren daneze. “Të dashur tifozë, këtë javë mora përgjigjet e analizave dhe kam mësuar se jam me diabet të tipit 1. Kjo gjë më ka befasuar, por jam i qetë për faktin se kam zbuluar arsyen pse në javët e fundit ndihesha keq.
Jam shumë i lumtur për faktin se doktorët më kanë shpjeguar se me kurimin e duhur, kjo sëmundje nuk do të ketë ndikim në karrierën time futbollistike”, – shkruan sulmuesi i Danimarkës. Dhe vërtet që ai mund të luajë sërish, këtë mund të konfirmojnë lojtarë si Borja Majoral dhe një legjendë si Pol Skolls.
“Jam stërvitur gjatë javës dhe po filloj të ndihem më mirë. Për t’u mësuar me kurat që kam nevojë, bashkë me trajnerin Kasper Hjulmand vendosëm që të mos luaj me kombëtaren. Falënderoj klubin tim dhe federatën daneze për angazhimin e tyre në këtë situatë”, – ka shtuar Dolberg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




