Ligjvënësit spanjollë dhanë miratimin përfundimtar të enjten për një ligj që u jep leje mjekësore me pagesë grave që vuajnë nga dhimbje të forta të menstruacioneve, duke u bërë vendi i parë europian që avancon një legjislacion të tillë.
“Është një ditë historike për përparimin feminist”, shkroi në Twitter ministrja e Barazisë, Irene Montero, përpara votimit.
Miratuar me 185 vota pro, 154 kundër dhe tre abstenime, Spanja bëhet vendi i parë në Europë dhe një nga të paktët në botë që e përfshin këtë masë në legjislacionin e saj. Me këtë ligj “ndërprerja e punës për një grua për arsye menstruacionesh”, do të njihet si një gjendje e veçantë e paaftësisë së përkohshme për punë.
“Kësaj gjendjeje patologjike i jepet një rregullore që do të përshtatet për të eliminuar çdo paragjykim negativ për gratë në botën e punës”, shkruhet në ligj.
Në ligj nuk jepet asnjë sqarim për kohëzgjatjen e këtij pushimi mjekësor, i cili duhet të jepet nga një mjek i shërbimit të sigurimeve shoqërore.
Ligji ka krijuar përçarje si midis politikanëve ashtu edhe sindikatave, me UGT, një nga sindikatat më të mëdha të Spanjës, duke paralajmëruar se mund të stigmatizojë gratë në vendin e punës dhe të favorizojë rekrutimin e burrave. Partia kryesore e opozitës konservatore Popullore (PP) paralajmëroi gjithashtu se ligji rrezikon të “stigmatizojë” gratë dhe mund të ketë “pasoja negative në tregun e punës” për to.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




