Paris 2024

E pabesueshme, pasi kualifikohet në 16-tshen e Olimpiadës, sportistja tregon se është 7 muajshe shtatzënë

Nga Gazeta Si- Egjiptiania Nada Hafez feston kalimin në fazën e 16-shes në sportin e skermës në ditën e tretë të konkurrimit në Lojëra Olimpike “Paris 2024”. Por ajo i ka habitur të gjithë kur ka thënë se është 7 muajshe shtatzënë.

Fitorja e parë në këto Lojëra Olimpike, e arritur për fazën e 16-shes në turneun e skermës për gra dhe vajza, nuk harrohet kurrë. Por nëse e arrin atë kur je shtatë muajshe shtatzënë, atëherë kënaqësia është edhe më e madhe.

Është vërtet e pabesueshme historia e egjiptianes Nada Hafez, e cila pasi mposhti amerikanen Tartakovsky në raundin e parë në Paris 2024, tregoi se ishte në pritje të një fëmije.

“Një olimpiste 7 muajshe shtatzënë”, ka shkruar ajo në Instagram, duke rrëfyer emocionet e saj.

"Në platformë nuk ishin dy sportistë, por tre! Isha unë, kundërshtarja ime dhe foshnja ime, që ende nuk ka ardhur në jetë, lexohet në profilin e egjiptianes!. “Shtatzënia është e vështirë në vetvete, por të gjesh kurajon për të luftuar për të ruajtur ekuilibrin mes jetës dhe sportit ka qenë paksa e lodhshme, por ia vlejti”.

Nada Hafez ka marrë pjesë edhe në dy olimpiada të tjera në Rio 2016 dhe në Tokio 2020.

E diplomuar për mjekësi dhe e martuar me një kirurg, Nada Hafez tregon: “Të tre Olimpiadat kanë qenë të veçanta, por kjo e Parisit është më e bukura, sepse ekziston edhe një olimpist i vogël”.

Historia e saj bëri xhiron e botës në vetëm pak minuta, e ajo sqaroi arsyet që e shtynë të merrte pjesë në këtë olimpiadë edhe pse shtatzënë.

“Doja të tregoja forcën, këmbënguljen dhe vendosmërinë e gruas egjiptiane. Dhe fitorja ndaj kampiones amerikane, numri 7 në renditjen botërore, është një demonstrim i qartë i asaj që një sportist egjiptian, një mjeke, një grua mund të bëjë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë