Gazeta Si – “Nëse një burrë pret që një grua të jetë një engjëll në jetën e tij, ai së pari duhet të krijojë parajsën për të. Sepse engjëjt nuk jetojnë në ferr”.
Ky është postimi i Klodiana Vefës në Instagram pak më shumë se një muaj më parë. Ajo nuk mund ta imagjinonte në atë moment se ferri do të vinte fshehurazi në një mbrëmje të vonë vjeshte pikërisht pranë shtëpisë së saj.
Ishte e bukur dhe elegante si gjithmonë Klodiana. Ajo ishte plotësisht e përgatitur për të dalë me një shoqen e saj që po e merrte në makinë.

Pak hapa nga hyrja e shtëpisë së saj, përballë klubit të Puppino-s, u shfaq Alfredi, ish-bashkëshorti dhe babai i fëmijëve të saj, i gjetur i vdekur natën mes të premtes dhe të shtunës në një pyll në San Casciano. Ndoshi një debat i ashpër, nuk ishte hera e parë, ajo e shtynte për ta larguar, ai nxori armën dhe qëlloi.
Në mes të rrugës, mes klubit dhe godinave, parku, fushat e futbollit dhe pak më tutje supermarketi “Coop” ishte ende i hapur në atë kohë me njerëz që vinin e shkonin.
Klodiana dhe Alfredi kishin të paktën gjashtë vite të ndarë. Dokumentet për ndarjen dhe më pas divorcin ishin bërë në Shqipëri, ku të dy ishin martuar.
Megjithatë, ai vazhdoi të hynte dhe të dilte nga ai apartament. Të ndarë në një shtëpi. Të gjithë me jetën, punën, miqtë e tyre.
Ajo punonte në një kompani në Empoli dhe deri vonë edhe në mbrëmje si kamariere në picerinë “La Combriccola” mbrapa shtëpisë.
Ai punonte në ndërtim, por së fundmi kishte humbur edhe punën. Të gjithë e dinin se ata kishin mosmarrëveshje të mëdha, që pengonin të dy të jetonin jetën e tyre.
Ajo kishte një histori tjetër, edhe ai kishte takuar një grua tjetër, por ajo bashkëjetesë mes tyre, pavarësisht gjithçkaje, nuk kishte pushuar kurrë.
Kishin fëmijë dhe ai kishte vështirësi për të gjetur një shtëpi tjetër. Por mbi të gjitha ishte ai që nuk donte të dorëzohej deri në fund të asaj martese.
Për vite me radhë ai vazhdoi të shpresonte se ajo do të rifillonte marrëdhënien, por çdo herë ishte një zhgënjim.
“Ti do të jesh gjithmonë e imja”, – i përsëriste ai asaj sa herë që ajo anulonte çdo përpjekje për t’u afruar. Alfredi ishte jashtëzakonisht xheloz për gruan e tij dhe u bë edhe më shumë pas ndarjes përfundimtare.
Postimet në rrjetet sociale
“Në këtë jetë, nëse doni diçka, veproni, asgjë nuk arrihet duke pritur”, ka shkruar ajo në Facebook dhe në Instagram nën fotot e saj.
“Të ndihesh e lirë do të thotë të ndihesh e lumtur”. Dhe ajo kishte gjetur lumturinë e saj pa të.
Në jetën e saj ishin vetëm dy fëmijët, motra, vëllai dhe nipërit. “Dashuritë e mia më të mëdha”, ka shkruar Klodiana në Instagram. “Dashuri e pafund”, “pasuria ime” dhe “do të jepja jetën time për ta”.
“Mund të thonë të gjithë se je gebim, por ti zmbrapsi…”. Ai i thoshte vazhdimisht se ajo po bënte gjithçka gabim, se askush nuk do ta donte si ai.
Megjithatë ajo nuk e kishte perceptuar kurrë rrezikun, ishte një grua gazmore plot jetë, ishte e bindur se herët a vonë ish-burri i saj do t’i dorëzohej fundit të dashurisë së tyre.
Ajo gjithmonë tregonte shumë kujdes kur takohej me partnerin e saj të ri. Ata takoheshin në mbrëmje në picerinë ku ajo punonte.
Nuk kishte plane të jetonin bashkë. Ende jo të paktën. Ajo i kishte thënë partnerit të ri se vetëm një herë Alfredi e kishte rrahur, ndërsa një herë tjetër e kishte braktisur në autostradën Firence-Piza-Livorno.
Mes të dyve nuk kishte pasur asnjë denoncim dhe as debat të furishëm që të kërkonte ndërhyrjen e policisë.
Postimi i fundit daton pesë ditë më parë, me këngën “La notte” të Arisës, si kolonë zanore.
Pak ditë më parë një mesazh që, tani tingëllon si parandjenjë. “Unë e njoh veten shumë mirë, jam prej betoni të përforcuar dhe xhami të fortë. Disa gjëra nuk më prekin, të tjera më shkatërrojnë…”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.